Rusi-Japoni, raportet mund të qetësohen

11/02/2011 08:00

Ministri i Jashtëm i Japonisë, Seiji Maehara, mbërriti në mëngjes në Moskë, për bisedime me homologun e tij Sergei Lavrov.

Siç raportoi Agjensia Ruse e Lajmeve “Interfax”, vizita vjen pas tensionit të lartë të krijuar pas deklaratave në lidhje me një zinxhir ishujsh të pretenduar nga të dyja shtetet.

Në ditët e fundit, presidenti Medvedev lajmëroi për vendosjen e armëve të reja në Ishujt Kurile, vetëm dy ditë pasi flamuri rus u dogj në Hokaido, në vargun e protestave për kthimin e territorit.

Marrëdhëniet midis të dy shteteve kanë qenë gjithmonë të vështira, për shkak të çëshjtes së katër ishujve, të quajtur Kurilet e Jugut në Rusi apo territoret e veriut në Japoni.

Bashkimi Sovjetik pushtoi ishujt në fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe mosmarrëveshjet kanë penguar vendet që të nënshkruajnë një traktat paqeje, pavarësisht shkëmbimeve ekonomike gjithmonë në rritje.

Top Channel