Tiranë, rritet krimi i rrugës

10/02/2011 20:10

Ajo që nuk ishte thënë zyrtarisht deri më tani për bumin e vjedhjeve dhe grabitjeve me dhunë të të gjitha llojeve në kryqytet, deklarohet zyrtarisht nga prokuroria e Tiranës gjatë analizës së saj për vitin 2010.

Kryeprokurori i Tiranës, Sokol Malaj tha në raportin vjetor të organit të akuzës, se në kryeqytet veprojnë grupe të tëra hajdutësh, të cilët kanë përsosur veprimtarinë e tyre, i cili dallohet fillimisht në krimin e rrugës për vjedhjet e dhunshme.

“Krimi i rrugës ka njohur shtim dhe zgjerim, si dhe përsosjë në zhdukjen e gjurmëve. Në rrugica e vende të errëta ka shumë raste vjedhjesh. Viktima janë kryesisht njerëz të pambrojtur si femra, fëmijë dhe të moshës së tretë, që nuk bëjnë dot qëndresë ndaj asaj që po iu bëhet. Hajdutët veprojnë në grupe prej dy ose tre vetë, ose vetëm. Ndërkohë, vjedhja në banesa është kthyer në një veprim të përditshëm. Janë perfeksionuar metodat dhe nuk lihen gjurmë. Në qytete veprojnë grupe të reja, ndërsa mënyrat e vjedhjes janë të njëjta”, deklaroi Malaj.

Referuar krimit ndaj pasurisë, Malaj e cilësoi vjedhjen e makinave në Tiranë si një plagë. “Vjedhja e automjeteve mbetet një plagë. Zbulimi i autorëve është bërë i pamundur për shkak të perfeksionimit të metodave. Pasi grabiten, makinat dërgohen dhe cmontohen në jug”, theksoi Malaj.

Po ashtu, kryeprokurori i Tiranës nuk la jashtë vëmendjes edhe vjedhjet e bankave dhe të bizneseve që sërish kanë shënuar rritje për 2010-ën.

Ndërkohë, referuar bashkëpunimit me policinë, Malaj e konsideroi 2010-ën si një vit ku marrëdhëniet mes dy institucioneve nuk kanë qenë në nivelin e duhur, për shkak të zvarritjeve dhe mosbindjes së policisë për të zbatuar urdhërat e prokurorëve.

Sikur të mos mjaftonte kjo, prokurori Malaj përmendi edhe rastet e pushimit të hetimeve nga prokurorët për gjashtë të arrestuar, të sjellë nga policia për shpërndarje droge, por që në fund të ekspertimit sasia narkotike doli se ishte paracetamol.

“Edhe procedimi nga datat 22-28 ka të bëjë me sekuestrimin e 1128 gramëve heroinë. Ne e kemi lënë me masën e sigurisë dhe brenda 21 ditësh është vendosur pushimi dhe ka rezultuar se ka qenë paracetamol”, shtoi Malaj.

Në analizën vjetore ishte edhe prokurorja e përgjithshme, zonja Ina Rama. Ndërkohë që raporti i zgjeruar i analizës vjetore përmendte në statistika të gjitha kategoritë e hetimeve të kryera në këtë prokurori që nga korrupsioni deri tek vrasjet.

Top Channel