Konsulli, Athina: Mos e merrni seriozisht

10/02/2011 16:30

Ministria greke e Jashtme greke ka kërkuar të mos i jepen përmasa deklaratave të konsullit grek në Korcë, Theodhoros Ikonomu, që pretendon se në këtë zonë jetojnë vorio-epirotë, ndersa vllejtë janë grekë.

Gjatë një takimi që zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Grigoris Delavekuras pati me gazetarët e akredituar në këtë ministri, u shpreh se cështja nuk duhet hiperbolizuar.

Ai ftoi mediat të bëjnë kujdes me publikimin dhe përmasat që iu jepën deklaratave për probleme kanë të bëjnë me dy vendet, pasi dy popujt tanë, sipas tij, kanë shumë pika lidhëse dhe minoriteti grek në Shqipëri luan një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe.

Zëdhënësi theksoi po kështu edhe një herë se Athina e mbështet me forcë rrugën europiane të Shqipërisë.

“Ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë Shqipërinë në implementimin e kësaj rruge. Padyshim që ne interesohemi për cdo minoritar grek që jeton në Shqipëri dhe jo vetëm për minoritarët që jetojnë në zonat e njohura minoritare në Shqipëri. Në këtë kontekst kemi kërkuar prej autoriteteve vendase që të respektojnë të drejtat e minoritarëve atje”, deklaroi Delavekuras.

“Shqipëria duhet të plotësojë zotimet që ka bërë përballë partnerëve europianë lidhur me të drejtat e njeriut dhe respektimin e të drejtave të minoriteteve në vend. Një ndihmesë të madhe do të japë edhe rregjistrimi i popullsisë që pritet të fillojë së shpejti”, tha ai.

Sipas Delavekuras, ky proces do t’i shërbejë në radhë të parë vetë qeverisë shqiptare si mjet pune, në mënyrë që të krijojë dhe administrojë edhe më mirë politikat e saj për minoritetet.

Mbetet për t’u sqaruar mirë procedura e rregjistrimit, formulimi i pyetësorit, por edhe mënyra e kryerjes së këtij regjistrimi, është shprehur zëdhënësi, duke shtuar se Athina kërkon që ai të bëhet në bazë të së drejtës ndërkombëtare.

Top Channel