Shoferët e autobusëve ankohen se çmimi i naftës po kërcënon të falimentojë transportin mes qyteteve.
“Nafta ka qenë 600 lekë, tani është 1700 lekë. Çmimet e biletave nuk kanë ndryshuar se populli ka shkuar në fund. Të shohin në dritë të syrit sa do më marrësh më thonë. Ku ia rrit dot atij”, shprehet një përfaqësues i linjave urbane.
Ata thonë se e kanë të pamundur të rrisin çmimin e biletave pasi konkurrohen edhe në mënyrë të padrejtë. “Nuk e rrisim, se po i rritëm, mbaruam. Janë furgonët që nuk na lejnë”, thekson ai.
Çmimi i naftës dhe benzinës ka pësuar rritje të fortë në treg, që nga fundi i vitit të kaluar, duke kapërcyer madje edhe nivelet maksimale të shënuara gjatë krizës së çmimeve të tre viteve më parë.
Aktualisht 1 litër naftë në treg kushton mesatarisht 156 lekë, kurse benzina kushton të paktën 163 lekë. Lëvizjet e fundit kanë nxitur një luhatje drejt uljes, por që mbeten sërish të larta. Importuesit shprehen se është e pamundur të abuzohet duke krijuar kartele, pasi në treg operojnë mbi 40 shoqëri të mëdha dhe 1200 pika të shitjes me pakicë. Çmimet e karburanteve në vend janë bërë disa herë objekt i hetimeve nga Autoriteti i Konkurrencës, por pak herë janë dhënë rezultate apo vendime konkrete për goditjen e spekulimeve në treg.
Top Channel