Stuhitë paralizojnë rrugën

04/02/2011 12:25

Temperaturat e ulëta që kanë arritur disa gradë nën zero të shoqëruar me erë të fortë në rrethin e Bulqizës.

Ato janë bërë shkak për bllokimin e rrugës nacionale Bulqizë-Peshkopi në vendin e quajtur Gurët e Skënderbeut, në Vajkal, deri në Qafën e Buallit.

Bllokimi krijoi një rradhë automjetesh disa kilometra të gjatë.

Prej orës 15 deri në orën 20 mbi 200 automjete ngelën në rrugë, pjesa më e madhe furgona me pasagjerë.

Ulja e temperaturave arriti të ngrinte edhe karburantin e automjeteve.

Ndërkohë ndërhyrja me mjete dëborepastruese nuk ka mundur të zhbllokojë në kohë rrugën.

Mjetet borëpastruese kanë larguar me shumë vështirësi dëborën nga rruga për shkak edhe të pranisë së madhe të akullit.

Drejtoria rajonale e rrugëve ka mbajtur për gjatë gjithë natës në punë mjetet për shkak se rruga bllokohej çdo një orë për shkak të dëborës që mblidhej nga erërat e forta.

Pozita gjeografike e Bulqizës bën që gjatë dimrit përveç dëborës shqetësuese të jenë errërat e forta të cilat ulin ndjeshëm temperaturat si dhe krijojnë akull.

Ndërkohë dhe policisë së rrethit të Bulqizës i është dashur të rrinë gjatë gjithë natës duke e përshkuar rrugën dhe duke ndihmuar drejtuesit e automjeteve të cilët bllokoheshin.

Një pjesë e udhëtarëve që udhëtonin në drejtim të Tiranës dhe qyteteve të tjera u është dashur të ndërpresin udhëtimin.

Problematik mbetet dhe aksi rrugor Qafë e Bualli-Krastë pasi edhe ajo dje në mëngjes ka ngelur e bllokuar prej rreth 2 orësh.

Top Channel