Komisioni, kërkesë presidentit Topi

03/02/2011 12:15

Kryetari i komisionit hetimor për ngjarjet e 21 janarit, deputeti Eduart Halimi ka deklaruar se presidentit Bamir Topi do t’i dërgohet një kërkesë për t’u paraqitur në seancë dëgjimore.

Në një konferencë për shtyp, Halimi është shprehur se kreu i shtetit do të pyetet në cilësinë e titullarit të një institucioni.

“Presidenti nuk është thirrur për të dëshmuar. Presidenti është thirrur për të përcjellë të dhëna si titullar. Shpresojmë që presidenti Bamir Topi t’i përgjigjet kërkesës”, ka deklaruar Halimi.

Deputeti demokrat ka bërë të ditur se komisioni hetimor parlamentar është ende në fazën e mbledhjes së të dhënave.

Deklarata e tij vjen një ditë pasi presidenti i Republikës refuzoi të paraqitej në seancën e parashikuar, me argumentin se komisioni ka kapërcyer kompetencat.

Top Channel