Topi takohet me Zbogar

02/02/2011 14:35

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka zhvilluar një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovenisë, Samuel Zbogar.

Pasi vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe, kreu i shtetit ka ritheksuar qëndrimin e tij se vetëm përmes një dialogu konstruktiv dhe të maturuar politik dhe duke respektuar institucionet dhe shtetin ligjor, forcat politike dhe të gjithë aktorët kryesorë do të mund ta nxjerrin vendin nga kjo situatë tepër shqetësuese.

“Në këtë kontekst, Presidenti vlerësoi veçanërisht gatishmërinë e vendeve mike dhe aleate të Shqipërisë, të Sllovenisë dhe të gjithë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në mbështetje të kapërcimit të situatës së krijuar në vend”, thuhet në faqen e Presidencës.

Nga ana e tij, ministri i Punëve të Jashtme të Sllovenisë ka theksuar rëndësinë e funksionimit të shtetit ligjor dhe institucioneve të pavarura kushtetuese si dhe nevojën për rikthimin e normalitetit dhe rivendosjes së dialogut politik institucional.

Ai vuri në dukje se vizita e tij në Tiranë, është nxitur nga vullneti që Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare të tij të japin ndihmesën dhe të përfshihen në mënyrë më aktive në zgjidhjen e menjëhershme të krizës politike në Shqipëri.

Top Channel