Nafta, taksat sa gjysma e cmimit

02/02/2011 17:25

Tregtarët thonë se një pjesë e mirë e cmimeve që konsumatorët paguajnë për karburantet fitohet nga qeveria përmes taksave.

“75 lekë për litër. Pastaj janë akciza, taksa, TVSH dhe tatim-fitimi, pra pjesa është 70 lekë për litër”, deklaron presidenti i Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Alia.

Në vitin 2009, kur të ardhurat e buxhetit ranë fort për shkak të krizës, qeveria rriti akcizën e karburanteve me gati 8 lekë për litër nga 27 në 35 lekë.

Menjëherë pas kësaj, vetëm pak muaj më parë ministria e Financave rriti edhe disa taksa të tjera të karburanteve, si ato portualet, por edhe ato të ambientit.

Rezultati është që sot në cdo 100 lekë që një konsumator paguan për të furnizuar automjetin, 45 lekë shkojnë në arkën e buxhetit.

Për më tepër, pjesa e qeverisë rritet proporcionalisht me rritjen e cmimit, për shkak se një pjesë e taksave llogariten në përqindje mbi bazën e cmimeve.

Në treg aktualisht një litër benzinë shitet mbi 170 lekë. Tregtarët thonë se vec taksave qeveria ka ndikuar në rritjen e cmimit edhe me politikat që ka ndjekur për zhvillimin e tregut.

“Ne kemi 2600 banorë për 1 pikë karburanti. Ndërsa në Evropë janë 8 mijë banorë për 1 pikë. Kjo rrit koston e shpërndarjes, të produktit dhe pikat e depozitimit e shpërndarjes duhet të ishin sipas vendeve të BE”, thekson Alia.

Këto janë llogaritjet që i kanë bërë vetë importuesit. Top Channel pyeti zyrtarisht edhe Ministrinë e Financave se cilat pjesë zënë taksat në cmimin final të karburanteve për të mësuar se në këtë cmim të lartë sa është efekti i taskave.

Por nuk ka mundur të marrë asnjë përgjigje zyrtare, ndaj mbetet të besohet vetëm llogaritjet e importuesve, sipas të cilave, që nga një litër naftë sot në treg me cmimin 170 lekë, gati gjysma e tyre janë taksa që pagujanë qytetarët.

Top Channel