KSHH: Jo cënimit të medias

02/02/2011 19:25

Komiteti shqiptar i Helsinkit, përmes një deklarate ka kërkuar të mos cënohet liria e medias në vend, duke u rreshtuar në krah të shoqatave të gazetarëve dhe përfaqësuesve të organeve ndërkombetare.

Në këtë deklaratë theksohet se komisioni hetimor parlamentar për ngjarjet tragjike të 21 janarit ka kërkuar dorëzimin e tabulatëve telefonikë të katër gazetarëve, një kërkesë që Komiteti i Helsinkit e ka cilësuar si të papranueshëm pasi cënon lirinë e medias dhe të drejtën e shtetasve për t’u informuar.

Më tej në deklaratë theksohet se, në një shoqëri demokratike media ka të drejtë të grumbullojë atë informacion, që mendon se është në interes të vendit, opinionit shoqëror ose grupeve të vecanta të interesit dhe ta bëjë atë publik.

“Konfidencialiteti dhe mbrojtja e burimeve të informacionit për gazetarët janë kusht për garantimin e lirisë së shtypit”, theksohet në të.

Ndërkohë, në Gjykatën Kushtetuese ka mbërritur një kërkesë ku pretendohet antikushtetueshmëria e objektit të veprimtarisë së këtij komisioni hetimor parlamentar.

“Komiteti shqiptar i Helsinkit rezervohet të shprehet lidhur me këtë cështje pasi ka besim të plotë dhe resekton autoritetin dhe kompetencën e Gjykatës Kushtetuse, e cila me siguri do ta shqyrtojë cështjen që ka në dorë sa më shpejt të jetë e mundur, pasi situata dhe stabiliteti i vendit e kërkojnë një gjë të tillë”, thuhet në deklaratë.

Top Channel