Komisioni, Ina Rama refuzon të përgjigjet

02/02/2011 18:25

Prokurorja e përgjithshme Ina Rama ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të komisionit parlamentar mbi ngjarjet e 21 janarit.

Në fjalën që i është dhënë në fillim të seancës dëgjimore, Rama ka argumentuar se në bazë të ligjit, prokuroria nuk mund të japë informacione mbi proceset që janë në hetim e sipër.

“Prokuroria është një organ i pavarur. Prokuroria i nënshtrohet vetëm ligjit. Cdo ngjarje kriminale e 21 janarit është objekt i hetimit të prokurorisë dhe vetëm pas hetimit prokuroria do ketë një përfundim. Hetimi i komisionit është i lidhur në mënyrë integrale me hetimet që bën prokuroria. Unë nuk mund t’i përgjigjem pyetjeve tuaja. Unë i qëndroj vetëm ligjit”, ka deklaruar Rama.

“Prokurori i përgjithshëm, kur po bëhet një hetim, nuk mund t’i nënshtrohet një seance marrjeje në pyetje”, ka theksuar ajo, duke u larguar.

Veprimi në fjalë ka acaruar drejtuesin e komisionit hetimor parlamentar, Eduart Halimi, i cili e ka cilësuar atë si një refuzim për bashkëpunim nga institucioni i akuzës.

“Do ta marr këtë veprim si mungesë e bashkëpunimit tuaj me komisionin parlamentar. Do ta shohim si mungesë respekti ndaj organit më të lartë kushtetues, që është Parlamenti”, ka deklaruar Halimi.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe anëtari tjetër i komisionit, deputeti Enkelejd Alibeaj, i cili ka theksuar se veprimi i zonjës Rama përbën një “refuzim flagrant”.

“Asnjë nga anëtarët e komisionit nuk ka dashur e as dëshiron të pyesë për cështje dhe rrethana që kanë të bëjnë me aspektin penal. Ky është një hetim parlamentar dhe këtë duhet ta kuptonte edhe kryeprokurorja. Largimin e saj e konceptoj si një refuzim flagrant ndaj një institucioni kushtetues”, ka pohuar Alibeaj.

Anëtarët demokratë të komisionit e kanë cilësuar si “arrogante” sjelljen e kryeprokurores dhe si një mungesë respekti ndaj “tempullit të demokracisë”, që në këtë rast është Parlamenti.

Top Channel