Hetimi i gazetarëve, Berisha nuk tërhiqet

02/02/2011 11:55

Megjithë presionin e madh të bërë nga diplomatë evropianë dhe shoqata të gazetarëve brenda dhe jashtë vendit, kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se komisioni hetimor nuk do të tërhiqet nga hetimi i katër gazetarëve.

Duke folur në mbledhjen e qeverisë ai ka theksuar se hetimi nuk ka të bëjë me aktivitetin e tyre si gazetar, por me implikimin e tyre direkt në puç.

“Hetimi i gazetarëve nuk ka asnjë lidhje me gazetarinë e tyre, por me implikimin e tyre direkt, me urdhëra direkte të dhunës dhe të puçit. Një gazetar nuk do të gjykohet, nuk do të paditet për veprimet e tij, por ana tjetër është implikimi i veprimeve konkrete që nuk kanë lidhje me gazetarinë, por me probleme të tjera që janë jashtë saj”, është shprehur Berisha.

Dy ditë më parë, komisioni hetimor ka kërkuar hetimin e tabulateve telefonikë të gazetarëve Andi Bushati, Filip Çakulli, Sokol Balla dhe Mero Baze.

Top Channel