Dritan Minxolli është i arrestuari i parë nga katër protagonistët krysorë të procesit për tragjedinë e Gërdecit që rifiton lirinë.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi pasditen e së mërkurës ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Minxollit, nga “arrest me burg”, “në arrest shtëpie”.
Sipas argumentimit të vendimit të Kolegjit Penal, Minxollit i kanë përfunduar afatet 12 mujore të paraburgimit, duke i përllogaritur ato nga dita kur dosja ishte dorëzuar për gjykim në Gjykatën e Larte dhe jo kur dosja u dorëzua për t’u gjykuar në gjykatën e Tiranës.
Ky vendim i Gjykatës së Lartë pritet së shpejti t’i japë lirinë edhe tre të arrestuarve të tjerë të këtij procesi, Mihal Delijorgjit, Ylli Pinarit dhe Sokol Ngjecit, të cilët së bashku me Monixollin janë të akuzuarit kryesorë të cështjes së Gërdecit.
Kjo, pasi deri më tani ata janë mbajtur në paraburgim me argumentimin se afatet e paraburgimit duhej të përllogariteshin nga momenti kur dosja i ishte dorëzuar gjykatës së Tiranës.
Ndërsa sipas përllogaritjes së bërë nga Gjykata e Lartë, kjo e fundit ka marrë paraysh afatet nga dita kur dosja i ishte dorëzuar këtij institucioni, për shkak se atëherë ishte i akuzuar edhe ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu.
Për shkak se ky i fundit rifitoi mandatin e deputetit, Gjykata e Lartë ndërpreu gjykimin ndaj tij dhe ia delegoi cështjen gjykatës së Tiranës.
Kjo procedurë ka dashur më shumë se tre muaj, kohë e cila tanimë është përllogaritur në afatet e paraburgimit ndaj të arrestuarve për tragjedinë e Gërdecit.
Top Channel