Ekspertët: Vendi, në krizë konstitucionale

02/02/2011 16:25

Kriza politike që ka përfshirë vendin prej disa muajsh ka shtrirë rrënjët edhe tek institucinet qendrore, duke sjellë një paralizë të plotë të funksioneve të tyre.

Pedagogia e Shkencave Politike, Zamira Cavo thekson se vendi tanimë është në një krizë konstitucionale, e cila është prodhuar nga kriza politike.

“Kam menduar dhe e kam shprehur se kjo krizë politike që ka filluar me mungesën e opozitës në Parlament dhe ka vijuar me acarimin e gjuhës politike do conte drejt një krize konstitucionale. Nëse këto institucione arrijnë dhe dublojnë njëra-tjetrën, detyrimisht shkohet në krizë konstitucionale”, deklaron Cavo.

Sipas saj, vendi mund të dalë nga kjo krizë nëse presidenti do të dalë mbi palët dhe nëse do të ndërhyet në Kushtetutë për t’i dhënë atij më tepër kompetenca.

“Mendoj se fillimi i një krize konstitucionale është i dukshëm. Nga ana tjetër, mendoj se roli i presidentit duhet të vihet në vendin e duhur, sepse ndryshimet kushtetuese kanë sjellë destabilitet politik. Unë dua të shoh një forcë që të qëndrojë mbi palët politike. Ky mund të jetë presidenti, që duhet të ulë në tryezë partitë dhe të garantojë Kushtetutën”, thekson Cavo.

Për juristët dhe ekspertët, nevojitet që politika të ulet në tryezë për një dialog të gjerë dhe të vendosë rregulla të reja e të qarta, që të garantojnë funksionimin e institucioneve.

Top Channel