Basha: Prokuroria, jo profesionale

02/02/2011 00:30

Edhe ministri Lulzim Basha, njësoj si kryeministri një ditë më parë, e cilësoi demonstratën e 21 janarit si një puç i dështuar shteti. Sipas ministrit Basha, ishte mbledhur armatim, që në muzg Kryeministria të merrej me dhunë. (UPDATE)

Ministri tha se prokuroria kishte refuzuar disa të ashtuquajtura përgjime parandaluese për telefonatat e disa eksponentëve të dyshuar. Ai hodhi hije dyshimi për fshehje provash nga prokuroria, apo standarde të ulta profesionale gjatë hetimit të rrethanave të vdekjes së 3 viktimave.

“Ka patur disa veprime të cilat më vonë janë konsideruar të pajustifikueshme nga oficerë të policisë kriminale, si përshembull administrimi i predhave të gjetura në trupat e viktimave nga prokurorët nëpërmjet marrjes dhe futjes së tyre në xhep, marrja e rrobave dhe kyçja e tyre në një kasafortë speciale vetëm me çelsin e prokurorëve. Unë nuk jam burim i këtij informacioni por më është raportuar nga Policia e Shtetit. Dy predha janë gjetur, dy predha të tjera nuk janë gjetur, pra janë administruar dy predha për të tre viktimat dhe në të dyja rastet predha është administruar nga prokurori, është futur në xhep pas nxjerrjes nga proçesi i analizës forensike i autopsisë. Rrobat të cilat janë të rëndësishme për të bërë analizën balistike, janë mbajtur të kyçura nga prokuroria, nga prokurorët”, deklaroi para komisionit ministri Basha.

Po ashtu, ministri u ndal edhe te komunikimi i Policisë së Shtetit me Shërbimin Informativ Shtetëror.

“Intensiteti i komunikimit është në fakt i qartë. Përpara nuk ka patur komunikim mbi këtë çështje, i vetmi komunikim është një kopje e shkresës që më është sjellë nga Policia e Shtetit, e cila konstaton se sipas Shërbimit Informativ situata është shumë e qetë. Kjo është e datës 20 janar. Më datë 21 nuk kam patur asnjë komunikim me Shërbimin Informativ, më datë 22, 1:30 minuta pas komunikimit me Presidentin e Republikës kam patur një komunikim nga SHISH që më njoftonte për veprimtarinë e tij, para, gjatë dhe pas 21 janarit dhe që nga ai moment kam patur, 3, 4 ndoshta edhe 5 komunikime me SHISH-n të së njejtës natyrë”, deklaroi Basha.

Nëse një ditë më parë kryeministri u tregua shumë i ashpër me Presidentin e Republikës dhe tha se nuk kishte pasur asnjë komunikim me të, Ministri i Brendshëm konfirmoi se presidenti e kishte marrë dy herë në telefon. Por duke qenë se herën e parë nuk e kishte parë thirrjen, kishin mundur të komunikonin vetëm herën e dytë.

“Më ka marrë ne telefon, e kam informuar mbi situatën jashtëzakonisht të rëndë, rrethimin që vazhdonte dhe sulmi që po bëhej, e kam informuar siç informova ambasadorin, me të cilin kisha folur pak minuta më parë, se prisja që nga momenti në moment të thyhej perimetri i sigurisë së kryeministrisë dhe e kam informuar se ambasadori në fjalë më këshilloi, apo më sugjeroi, apo pyeti nëse në këtë moment mund të kishte ndonjë forcë tjetër që të siguronte që perimetri të mos thyhej, me theks forcat e armatosura. Presidenti po kështu m’u përgjigj se ka një kuadër institucional që duhet të ndiqet. Pas kësaj kam bërë një lidhje telefonike me Ministrin e Mbrojtjes i cili ka qartësuar se forcat e armatosura mund të hyjnë në veprim vetëm në rrethana të caktuara ligjore”, vijoi dëshminë e tij ministri Basha.

Ministri bëri të ditur edhe një fakt të ri, që prej ditës së enjte, për pjesmarrjen e saj më 21 janar, policisë bashkiake të Tiranës i janë revokuar nga policia e shtetit armët e zjarrit.

Top Channel