Liria e medias, BE e shqetësuar

01/02/2011 15:10

Të enjten, drejtori menaxhues për Ballkanin, Miroslav Lajçak, pritet të bëjë të qartë mesazhin e BE-së mbi lirinë e medias.

Këtë deklaroi Maja Koçijançiç, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Sigurinë në BE kur u pyet mbi zgjerimin e kërkesës së komisionit hetimor për tabulatet telefonike edhe për gazetarët, jo vetëm për zyrtarët e lartë, të akuzuar nga kryeministri Berisha si pjesë e puçit të 21 janarit.

“Siç e dini, ne po i ndjekim nga afër zhvillimet dhe ajo çfarë duhet të ndodhë, ajo çfarë Shqipëria duhet të bëjë është që të fokusohej në axhendën europiane. Këtë e kemi përsëritur shpesh se do të shohim të gjitha aspektet e ndryshme për atë çfarë po ndodhë dhe Miroslav Lajçak do të diskutojë mbi këtë pikë të enjten. Ju e njini qendrimin tonë mbi të drejtën e fjalës, lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes dhe kjo është një çështje që do t’ua bëjmë shumë të qartë. Më shumë se kaq nuk mund të them gjë për momentin”, është shprehur Maja Koçijançiç, zëdhënëse e përfaqësues së Lartë të BE-së.

Liria e shprehjes konsiderohet si një ndër parimet themelore të demokracisë dhe liria e medias është pjesë përbërëse e kriterit politik të Kopenhagenit.

Top Channel