Lajçak: Hetimet t’i kryejë prokuroria

01/02/2011 22:40

I dërguari i BE-së në Shqipëri Miroslav Lajçak, informoi këtë pasdite eurodeputetët e delegacionit për Ballkanin dhe anëtarët e Komitetit të Jashtëm. Takimi ishte me dyer të mbyllura, pa praninë e kamerës. Por përpara vizitës së tij në Tiranë, Lajçak deklaroi:

“Ne duhet të sigurohemi se udhëheqësit do respektojnë mesazhet e qarta të BE-së, pra që ne duam të shohim normalizim të situatës, që institucionet shtetërore të punojnë siç duhet, pasi ato nuk mund të zëvendësohen nga institucionet politike. Ne besojmë se institucionet në Shqipëri kanë kapacitetet për të bërë detyrat e tyre kushtetuese. Ne duam që si qeveria dhe opozita të punojnë bashkë mbi rekomandimet e Komisionit për t’u anëtarësuar. Unë vërtet besoj se çështja më e rëndësishme për Shqipërinë është që të dëshmojë se është në gjendje që të bëhet vend kandidat në BE.”

Mesazhi kyç që Lajçak donte të përcillte përmes medias ishte që hetimi për ngjarjet e 21 janarit të bëhet nga prokuroria dhe jo nga komisioni parlamentar “njëngjyrësh” siç u shpreh ai.

“Ngjarjet tragjike të 21 janarit duhet të hetohen në mënyrë të plotë, të thellë, të hollësishme dhe me objektivitet. Ky hetim duhet bërë nga institucionet, nga institucionet shtetërore. Asnjë komision parlamentar, aq më shumë një komision parlamentar njëngjyrësh,  nuk mund të zëvendësojë institucionet e pavarura. Natyrisht që komisionet parlamentare duhet të jenë pjesë e hetimit dhe të informohen, të garantojnë se proçesi vijon në mënyrë të balancuar e të paanshme, por ne duam të shohim institucionet shtetërore t’ i bëjnë këto hetime. Sigurisht jemi në dijeni dhe e çmojmë faktin se miqtë amerikanë kanë ofruar asistencën e tyre në këtë proçes, por ajo çfarë është e rëndësishme është që institucionet të bëjnë punën e tyre, e që këto institucione të bëjnë punën e tyre, sigurisht që duhet dhe prezenca e opozitës, jo vetëm e koalicionit. Opozita ka kaq shumë mundësi për të përdorur të drejtat e saj e të kontrollojë proçeset shtetërore, duke provuar se ata janë pjesë e jetës institucionale dhe politike”, deklaroi Lajçak.

Kryefjala e Lajçak ishte “detyrat e shtëpisë, në shtëpi” sa herë që  pyetej mbi klasën politike, qoftë për ndërmjetësim, qoftë për organizim zgjedhjesh.

“E dini shprehjen ‘duhen dy vetë për të bërë tango’? Mesazhi ynë është që ne jemi gati për t’iu ndihmuar, por, ne nuk vemi për të bërë punën e autoriteteve lokale. Zgjedhjet lokale të 8 majit duhet të përcjellin një mesazh shumë të fortë mbi aftësitë e institucioneve shqiptare për të bërë zgjedhje që arrijnë standardet europiane, përmbushin kriteret europiane, e ne jemi këtu për të ndihmuar. Por ne nuk do të zëvendësojmë punën që duhet bërë nga institucionet lokale. Mandati im nuk është për të ndërmjetësuar palët, por për të përcjellë mesazhet që BE i gjykon të rëndësishme për Shqipërine, si vend potencialisht kandidat që është, dhe duhet të ekzistojë vullneti nga ana e politikanëve tuaj . Oferta që ne po japim është më e mira për Shqipërinë, sepse e sjell vërtet vendin sërish në udhën europiane. Unë mendoj se kjo ofertë nuk mund të refuzohet, nëse ju mendoni vërtet për të ardhmen e vendit tuaj. Ne jemi të gatshëm, Përfaqësuesja e Lartë, zonja Ashton, Komisioneri për Zgjerim, Fyle, një pjesë e ministrave nga vendet anëtare, janë të gatshëm që të angazhohen e të ndihmojnë vendin tuaj, por detyrat e shtëpisë duhet të bëhen në shtëpi”, tha Lajçak.

Drejtori menaxhues për krizat në Ballkan u bëri thirrje shqiptarëve për ta përdorur këtë moment të vështirë në vend si një zile alarmi e për një fillim të ri.

“Vendi juaj ka shumë potenciale për sukses. Këto janë momente të vështira, por këto momente të vështira mund të shndërrohen në një fillim të ri. Ne besojmë se duhet të jetë kështu, që ngjarjet e 21 janarit të shërbejnë si një zile alarmi për gjithësecilin, për të realizuar se ky moment është një moment kthese, e se duhet përdorur për një fillim të ri”, vijoi më tej slloveni.

Miroslav Lajçak mbërrin të enjten në Tiranë për të vijuar turin e dytë të bisedimeve si i mandatuar i BE-së në Shqipëri.

 

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel