Fajon: Jo presion gazetarëve

01/02/2011 20:00

Europarlamentarja Tanja Fajon e ka cilësuar si të papranueshme, kërkesën e komisionit hetimor për ngjarjet e 21 janarit, për të marrë tabulatet telefonike të disa gazetarëve.

Ajo ka theksuar se gazetarët, kanë të drejtën që të respektojnë e të mos tregojnë burimet e tyre.

Fajon: “U informova mbi presionin ndaj gazetarëve në Shqipëri. Sot bisedova dhe me Federatën Ndërkombëtare të Gazetarëve dhe si ish gazetare, mund të them se është e papranueshme, që të bëhet çfarëdolloj presioni ndaj gazetarëve nga autoritetet. Do t’u bëja thirrje të gjitha autoriteteve në vend, të gjithë atyre që kanë përgjegjësi që të respektojnë lirinë e medias. Kjo do të thotë gjithashtu se pa vendim gjyqësor, ju nuk mund t’i kërkoni gazetarit t’ju japë numrat në telefonin e tij, sepse gazetarët kanë të drejtën që të respektojnë e të mos tregojnë burimet e tyre. Është shumë e rëndësishme që gazetarët të kenë liritë e tyre të plota e që qytetarët në fund të kenë një informacion të drejtë e të ndershëm. E unë besoj se gazetarët në Shqipëri, apo pjesa më e madhe e tyre, nuk janë kriminelë. Ndaj është e rëndësishme që autoritetet në vend të respektojnë rregullat e vendeve demokratike dhe liria e medias është e drejtë themelore e njeriut”.

TCH: A mendoni se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do zgjidhnin këtë krizë apo ngërç politik në Shqipëri?

Fajon: “Nëse ka një gjë ku qytetarët, autoritetet vendase, opozita ose qeveria, duhet të marrin vendim, është pikërisht mbi një zgjidhjen e mirë. Nuk dua të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Shqipërisë,  por e rëndësishme është që të garantohet një dialog që mund ta nxjerrë vendin nga ky qorrsokak, ku është sot. Kjo do të ishte mirë, sepse vendi ka ngecur vërtet mbrapa në rrugën e reformave që janë të rëndësishme për qytetarët. Prandaj, nëse zgjedhjet e parakohshme do të ishin një rrugëdalje për të siguruar që vendi të ishte politikisht i qendrueshëm dhe për të siguruar një dialog mes autoriteteve, mes të gjitha palëve të përfshira, atëherë unë do të thoja: Po, kjo do të ishte një zgjidhje”.

Përgatiti Arta Tozaj

Top Channel