Top Channel: Po kërcënohen gazetarët

31/01/2011 19:55

Pas vendimit të komisionit hetimor për ngjarjet e 21 janarit, për hetimin e tabulatëve telefonikë të disa gazetarëve, mes të cilëve edhe dy gazetarë titullarë të TCH, Filip Cakuli dhe Sokol Balla, Top Channel deklaron se e cilëson këtë vendim si kërcënim ndaj integritetit profesional të tyre dhe të vetë televizionit më të madh dhe të rëndësishëm në vend.

Prej më shumë se një muaji Top Channel dhe gazetarët e tij janë vënë në qendër të sulmeve politike, por në rrethanat e reja të krijuara, Top Channel vëren me shqetësim se nga deklaratat me sfond politik, prej të cilave TCH ka qendruar larg, po kalohet në veprime konkrete nga përfaqësues dhe titullarë të mazhorancës qeverisëse.

Top Channel deklaron me vendosmëri se do të vazhdojë misionin e tij të informimit dhe transparencës së publikut, pavarësisht sulmeve të fundit politike, të cilat kërkojnë ta përfshijnë atë dhe gazetarët e Top Channel në në një betejë politike, në të cilen as kemi qenë dhe as do të jemi pjesë e saj.

Top Channel shpreh shqetësim se veprime të tilla, të motivuara politikisht, rrezikojnë të ekspozojnë gazetarët në integritetin e tyre profesional dhe fizik.

Top Channel