Shqip, debatojnë të ftuarit

31/01/2011 22:30

Duke diskutuar 21 janarin dhe ngjarjet që rrodhën pas tij, kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela debatoi ashpër me deputetin e Partisë Demokratike, Mark Marku dhe analistin Henri Cili.

Debati u ndez kur të ftuarit diskutuan mbi hetimin e nisur njëkohësisht nga prokuroria dhe Komisioni Hetimor Kuvendor. Kryetari i PLD-së, Spartak Ngjela kritikoi moszbatimin e urdhërit të prokurorisë për ndalimin e drejtuesve të Gardës së Republikës dhe e cilësoi këtë si një shkelje të Kushtetutës.  

“Nëse kryeministri bën një krim në flagrancë, kush do ta arrestojë?”, argumentoi Ngjela.

Deklaratës së Ngjelës iu kundërpërgjigj deputeti demokrat, Mark Marku. Zoti Marku tha se në vend ekzistojnë institucionet e pavarura dhe e cilësoi qendrimin e opozitës si të pakuptimtë, e cila sipas tij, nga njëra anë bën thirrje për revolucion dhe nga ana tjetër vlerëson prokurorinë.

Ndërkohë, i pranishëm në studio, koordinatori i Partisë Socialiste, Erjon Veliaj u shpreh se në varësi të interesit të qeverisë gjendet edhe vullneti për ngritjen e komisioneve hetimore.

“Kur ka vullnet komisionet hetimore ngrihen edhe për 30 minuta, ndërkohë që për hetimin e zgjedhjeve, kjo qeveri nuk e ngriti komisionin”, tha Veliaj.

Top Channel