Rrahja e gazetarëve, reagon SEEMO

31/01/2011 20:10

Organizata e Medias për Europën Juglindore, SEEMO, shprehet e tronditur për goditjen ndaj gazetarëve shqiptarë më 21 janar nga Garda e Republikës dhe i bën thirrje autoriteteve më të larta në vend që të vënë para përgjegjësisë ligjore personat që ushtruan dhunë ndaj gazetarëve.

Përmes një deklarate për shtyp, kjo degë e Institutit Ndërkombëtar të Shtypit me qendër në Vjenë, thotë se është befasuar nga numri i madh i gazetarëve e reporterëve që u sulmuan e madje dhe u qëlluan në 21 janar nga Garda Kombëtare Shqiptare.

“Sipas informacioneve të mbledhura nga SEEMO, dhuna e shfaqur në rrugët e Tiranës më 21 janar nuk kurseu as gazetarë e as reporterë. Raportet për sulme të shumta brutale ndaj gazetarëve, të cilët po bënin detyrën e tyre, ishin akte tërësisht të pavend nga Garda Kombëtare”, thuhet në këtë komunikatë.

Në të përmenden emrat e disa gazetarëve si Ened Janina, gazetar i “Shekulli”, i rrahur dhunshëm nga një gardist, edhe pse i kishte treguar me parë dëshmitë se ishte gazetar.

Fotografi Feliks Bilani, i qëlluar me gurë në kokë, Elton Dono të cilit i është thyer nofulla ndërsa goditej në kokë nga një anëtar i gardës dhe Fatos Mahmutaj nga ABC News, i plagosur gjatë demonstratave nga e njëjta armë që vrau dhe dy persona të tjerë nga brenda kryeministrisë.

Sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate, Oliver Vujovic, shprehet, vecanërisht për rastin Janina, se, “ky incident është shokues. Askush që punon për Gardën e Republikës nuk duhet të sillet në mënyrë të tillë agresive ndaj një gazetari që po bën vetëm punën  e tij, i cili madje edhe është identifikuar si i tillë”.

SEEMO i bën thirrje autoriteteve shqiptare të bëjnë cdo përpjekje për të mbrojtur gazetarët, kur ata raportojnë mbi konflikte apo cështje të tjera të ndjeshme.

Kjo organizatë i kërkon gjithashtu autoriteteve më të larta në Shqipëri që të zgjidhin cështjen e abuzimit mbi gzetarët dhe të ndërmarrin hapa ligjorë kundër personave përgjegjës që sulmuan gazetarët.

Sekretari i përgjithshëm Vujovic shton se, “nëse përfaqësuesit e medias ndihen shumë të frikësuar për të dalë në rrugë e për të raportuar në të tilla ngjarje, publiku në përgjithësi do të mbetet i painformuar e injorant. Dhe kjo është e papranueshme për një vend që konsiderohet si demokratik”.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel