Rama: Të premten, betejë me popullin

31/01/2011 18:15

Kryetari i PS, Edi Rama ka akuzuar qeverinë Berisha se po sulmon institucionet shtetërore dhe mediatike që nuk përkrahin linjën editoriale të tij.

Në një deklaratë për shtyp të mbajtur para pak castesh, Rama është shprehur se gazetarë të ndryshëm po shantazhohen në mënyrë mafioze nga kreu i qeverisë.

“Ky pushtet po provon se nuk ndalet me qëllim që të asgjesojë cdo pushtet jashtë kontrollit të vetë. Janë 4 gazetarë, që njëri pas tjetrit, Saliu i ka sulmuar publikisht duke u cënuar personalitetin, familjen e duke u bërë shantazhe mafioze, një herë me një gjobë ndaj Top Channel dhe një herë duke mbyllur gazetën “Tema””, ka deklaruar Rama.

Sipas tij, kreu i qeverisë po mbron autorët e vrasjeve të 21 janarit dhe po sulmon ata që nuk u binden urdhërave të tij. “Këto veprime tregon se saliu po lan hesapet me një puc imagjinar, por që në fakt është një grusht i mirëfilltë shteti i udhëhequr nga i ashtuquajturi kryeministër”, ka pohuar Rama.

“Garda vret, policia nuk arreston ata që vrasin, Saliu që sulmon të gjithë dhe përditë zyrtarë e gazetarë të padëshiruar. Cdo ditë që kalon nxjerr në pah kauzën tonë, se Shqipëria është vjedhur dhe privohet nga liritë e saj më themelore”, ka vijuar ai, duke rikonfirmuar edhe protestën e planifikuar për më 4 shkurt.

“Por Shqipëria nuk mund të rrihet e vidhet deri në pikën sa të pranojë partinë-shtet. Ajo është e gatshme të luftojë kundër matrapazllëkut dhe kusarisë në pushtet. Edhe gazetarët dhe të gjithë ata që janë vrarë, plagosur, rrahur e mëpërkëmbur në vite sundimi cnjerëzor në pushtet, të premten do të dalin me ne në rrugën e rezistencës paqësore, në Lezhë, Vlorë, etj. Kjo është beteja jonë bashkë me popullin”, ka shtuar Rama.

Top Channel