Ngjela: Varfëria, substanca e protestës

31/01/2011 22:00

Kryetari i PLD-së, Spartak Ngjela ka deklaruar se substanca e protestave të opozitës është varfëria e skajshme që ekziston në vend.

Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, Ngjela ka nënvizuar se videoja Meta-Prifti e publikuar në emisionin “Fiks Fare” është një tregues se ky shtet është kredhur në një korrupsion të thellë.

“Problemi është shumë i thjeshtë, varfëria është një fenomen gjeneral dhe Shqipëria është një vend i varfër. Shqiptarët panë zëvendëskryeministrin me bllok, që merrte 800 mijë euro. Kapitalizmi nuk do të thotë korrupsion. Janë rreth 300 milionë euro të grabitura nga korrupsioni i një bande dhe njerëzit janë të revoltuar sepse e panë me prova”, ka deklaruar Ngjela.

Sipas tij, qytetarët shqiptarë e kanë kuptuar se ky korrupsion po shkatërron shoqërinë dhe zgjidhja më e mirë në këtë situatë do të ishin zgjedhjet e reja.

“Njerëzit e kanë pranuar se nuk mund ta pranojnë këtë situatë. Korrupsioni në një sistem të tillë shkatërron zhvillimin, pasi krijon një lloj klientelizmi. Dhe një situatë e tillë zgjidhet vetëm me zgjedhje të parakohshme”, ka shtuar Ngjela.

Top Channel