KE: Hetimi, ndarje e pushteteve

31/01/2011 13:20

Komisioni Europian përsërit thirrjen për respektimin e ndarjes së pushteteve në Shqipëri.

“Përsa i përket Shqipërisë, ne po e ndjekim situatën nga shumë afër dhe ne po ndjekim edhe procedurat gjyqësore që po zhvillohen dhe të gjithë punën që po bëhet nga prokurorja e përgjithshme Ina Rama. Kemi rikujtuar se është e rëndësishme që Prokuroria e Përgjithshme të mund të zhvillojë hetimin në mënyrë transparente, si edhe me ndihmën dhe mbështetjen e të gjithë aktorëve politike, që do të thotë si nga qeveria, ashtu edhe nga opozita”, ka deklaruar Natasha Butler, zëdhënëse e Komisionit Europian.

“Një gjë është shumë e qartë, dhe efektivisht, në Shqipëri, si në cdo vend potencialisht kandidat, duhet të ekzistojë ndarja e pushteteve, që do të thotë se duhet të ketë një ndarje të pushtetit mes ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit. Ky rregull aplikohet ndaj c‘do vendi dhe duhet te vihet në fuqi në Shqipëri”, ka pohuar Butler.

Ajo ka theksuar se ndarja e pushteteve është themeli i demokracisë së një vendi, aq më tepër kur ai aspiron të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.

“Ne po e ndjekim nga shumë afër situatën dhe bëjmë thirrje që ndarja e këtyre tre pushteteve të respektohet. Kjo është baza e demokracisë dhe është e rëndësishme që Shqipëria, e cila ka shtruar kërkesën për anëtarësim në BE, të mund të tregojë se ajo zbaton dhe respekton këto parime kyce, që janë pjesë e kritereve të Kopengahenit”, ka saktësuar Butler.

Zëdhënësja e Komisionit konfirmoi së Këshilli i Ministrave të Jashtëm do të bisedojë mbi Shqipërinë në mbledhjen e pasdites.

“Situata në Shqipëri meriton vëmendjen tonë dhe na shqetëson shumë seriozisht. Ne kemi ndjekur gjithashtu zhvillimet e deklaratat e bëra gjatë fundjavës. Ne e ndjekim nga shumë afër situatën dhe sic e dini kemi dërguar një funksionar të lartë të shërbimit të jashtëm të BE-së, Miroslav Lajcak, javën e kaluar. Sot ka një diskutim për Shqipërinë, nën kuadrin e cështjeve të ndryshme, në nivelin e ministrave të Jashtëm të 27 vendeve anëtare. Kjo tregon se të gjithë aktorët, Komisioni dhe sigurisht Përfaqësuesja e Lartë janë në reflektim të plotë mbi atë se cfarë duhet të bëjnë. Në këtë moment që po flasim, të gjitha mundësitë janë të hapura dhe ne po reflektojmë se cilat do të jenë mënyrat për të vepruar me një partner, i cili ka shtruar kërkesën për vend kandidat në BE dhe i cili meriton të gjithë vëmendjen tonë. Sapo të kemi vendosur një numër pistash për të cilat jemi në reflektim e sipër në diskutimet e brendshme, do mund t’ju them më shumë. Por ne po e ndjekim situatën ekstremisht nga shumë afër”, ka bërë të ditur Butler.

Zëdhënësja u detyrua të argumentonte edhe mbi faktin pse cështja e Shqipërisë ka kaluar nga duart e komisionerit Fyle, edhe në ato të Përfaqësueses së Lartë Ashton, që merret me sigurinë.

“Në lidhje me vendet që janë brenda paketës së zgjerimit, ne u konfrontuam para 10 ditësh me një krizë në dyert e Bashkimit Evropian. Shqipëria u përball me një përkeqësim të situatës së brendshme me një numër të caktuar manifestimesh me pasojë jetën e tre personave dhe disa dhjetëra të plagosurve. Pra, zonja Ashton konsideroi se është thelbësore, në kuadër të politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së që përbëjnë kompetencat e saj, që të dërgojë me urgjencë një “të dërguar të posacëm”, pra Miroslav Lajcak, gjë që nuk do të thotë se komisioneri përjashton faktin për të vajtur vetë në Tiranë. Sic e dini, ai udhëton ekstremisht shumë. Kjo nuk përbën problem për atë pasi ai mund të udhetojë c‘do ditë. Mund të ndodhë që ai të marrë avionin për në Tiranë dhe të takojë kryeministrin Sali Berisha dhe liderin e Partisë Socialiste Edi Rama, për të parë se cfarë zgjidhjeje politike do të mund të gjëndet”, ka shtuar Butler.

Edhe sot, zëdhënësja Natasha Butler rikujtoi letrën e komisionerit Fyle ndaj kryeministrit Berisha, të dates 18 janar, duke nënvizuar se nëse kryeministri dhe lideri i opozitës do ta ftonin, Shtefan Fyle do të vinte në Shqipëri për të ndërmjetësuar zgjidhjen e krizës politike në vend.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel