Berisha dëshmon në komisionin hetimor

31/01/2011 18:00

Kryeministri Sali Berisha, gjatë dëshmisë së tij në komisionin parlamentar të 21 janarit, ka përsëritur akuzat ndaj lidershipit të opozitës për atë që ai e quan grusht shteti.

Gjatë fjalës së tij, Berisha është shprehur se Partia Socialiste është përpjekur të kthejë Shqipërinë në kohërat e errëta ku ligji bëhej me forcën e armëve.

“21 janari ka qenë akti më i shëmtuar në Shqipëri që nga viti 1924 e deri më sot. Një puc i organizuar nga trojkra Rama, Ruci dhe Gjinushi, për të përmbysur me dhunë pushtetin e dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme, për t’i kthyer Shqipërisë dhe shqiptarëve kohërat e republikave të bananeve, kohërat më të vështira e më të pasigurta”, ka deklaruar Berisha.

Sipas tij, protesta e 21 janarit ishte një grusht shteti i paralajmëruar nga vetë lidershipi i opozitës, që sipas tij është përfshirë nga një frymë fondamentaliste.

“Puci i 21 janarit ishte një grusht shteti i organizuar në përputhje me të gjitha rregullat e një akti të tillë të turpshëm. Ishte një grusht shteti që u paralajmërua në mënyrën më të përsëritur nga autorët e tij, Rama-Ruci-Gjinushi. Ishte një grusht shteti që u përgatit me frymën e një fondamentalizmi ekstrem, duke shfrytëzuar trashëgiminë më të zezë e më negative të PS”, ka pohuar Berisha.

Ai ka theksuar se përdorimi i dhunës nuk është një risi për PS, pasi në vitin 1997 ajo ngriti armët për të përmbysur pushtetin e atëhershëm.

“E vërteta është se kurrë kjo parti nuk ka ardhur në pushtet përmes votës. PS është trashëgimtarja e Partisë së Punës, në vitin 97 ajo përdori dhunën me armë dhe të gjitha mjetet për të ardhur në pushtet”, ka nënvizuar Berisha.

Ndërsa në grushtin e 21 janarit, sipas tij, në bulevard zbritën rreth 300 persona, kryesisht kriminelë, trafikantë dhe mercenarë.

“Në këtë grusht morën pjesë banditë, trafikantë, mercenarë, të cilët të armatosur, rrethuan për 5 orë këshillin e ministrave dhe kryeministrin, me vendosmërinë totale për ta pushtuar ndërtesën, për të larë hesapet me qeverinë e dalë nga zgjedhjet e lira. Urdhëra banditëve u jepte kryetari i pucit, ish-kryetari i sigurimit të shtetit Gramoz Ruci dhe ministri i qeverisë së Enverit, Skënder Gjinushi”, ka shtuar Berisha.

Ai ka shtuar më tej se mercenarët janë paguar deri në 300 dollarë për dhunën nga bosët e krimit të organizuar në krye të PS, që sipas tij janë Fidel Ylli, Sadri Abazi, Tomë Doshi, etj.

Më pas kryeministri ka treguar disa porosi që sipas tij kryetari i PS u urdhëronte mercenarëve nga kullat binjake. “Sulmoni tek porta e kryeministrisë. Mos kini frikë, janë fishekë manovre, u thoshte ai atyre”, ka shtuar Berisha, i cili u ka dalë në mbrojtje oficerëve të gardës dhe policisë që më 21 janar mbrojtën selinë e kryeministrisë.

“Po aq domethënëse është qëndresa e oficerëve të policisë dhe gardës, të cilët u treguan protestuesve se institucionet e shtetit nuk mund t’i pushtojnë kurrë”, ka deklaruar Berisha.

Gjatë dëshmisë së tij të gjatë, kreu i qeverisë ka denoncuar praninë e personave me armë të sofistikuara në protestën e 21 janarit, si dhe paralajmërimet që sipas tij kryetari i PS Edi Rama bëri për grushtin e shtetit.

“Një pjesë e protestuesve kanë ardhur me armë të vecanta, pistoleta, cadra-pistoletë, stilolapsa-pistoletë, etj. Duhej që nëse kryeministri nuk dorëzohej, të kalonte mbi kufomat që kishte paraqitur kryepucisti Edi Rama. Për këtë ngjarje ne disponojmë të dhëna të shumta, por pjesa më e rëndësishme e kësaj ngjarjeje ishte në bunkerin e Fidelit, ku ndodhej Rama me Rucin dhe Gjinushin, si dhe me eksponentët e tjerë të mafias dhe të ashtuquajturët gazetarë, që do publikonin lajmet se, Berisha u arratis dhe se kërkoi strehim në ambasadën serbe. Të gjithë ishin nën komandë. Por të gjitha janë dokumentuara”, ka thënë Berisha.

Lideri i mazhorancës ka prekur edhe cështjen e tabulatëve telefonikë, të cilat sipas tij faktojnë organizimin e pucit nga krerët e opozitës, përmes lidhjeve të tyre me krimin.

“Tek tabulatët qëndrojnë lidhjet e tyre me krimin, lidhjet e tyre me pucin. Ka edhe dokumenta të tjera, që kryeministri do t’ia dorëzojë këtij komisioni dhe komisioneve përkatëse”, ka deklaruar Berisha, i cili edhe këtë herë nuk i ka kursyer akuzat ndaj institucioneve.

Madje, ai ka shkuar më tej kur ka thënë se plani parashikonte deri edhe vrasjen e tij dhe se për këtë plan kishin bashkëpunuar edhe presidenti i Republikës dhe prokurorja e përgjithshme.

“SHISH nuk ka sjellë as informacionin më të vogël. I ka pasur sytë e lidhur dhe veshët të shurdhër. Ndërkohë, në kuadër të këtij puci, prokurorja e përgjithshme urdhëroi arrestimin e zinxhirit të gardës, në mënyrë që të nesërmen pucistët të sulmonin institucionet e pambrojtura. Ndërsa presidenti, në reagimin e tij të parë, nuk citonte një herë të vetme fjalën “dhunë”. Presidenti i Republikës u kërkonte të gjithë faktorëve që të negocionin, ndërkohë që zëdhënësit e tij të pashpallur në Top Channel shpreheshin se Berisha duhet të negociojë me banditët. Unë kam dijeni edhe për lidhjet mes zonjës Rama dhe zotit Rama, por kjo është në tagrin tuaj”, u është drejtuar Berisha anëtarëve të komisionit.

Top Channel