Ashton: Duam të shohim dialog

31/01/2011 23:00

Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për menaxhimin e situatës në Shqipëri, mund të vijë në Tiranë sërish gjatë kësaj jave. (UPDATE)

Këtë e deklaroi Catherine Ashton, Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri në BE, pas takimit të Ministrave të Jashtëm Europiane kur u pyet mbi Shqipërinë, si për akuzat e kryeministrit ndaj institucioneve të tjera që nuk kontrollohen prej tij, ashtu dhe mbi kërkesën për tabulatet telefonike të zyrtarëve të lartë e gazetarëve.

“Unë fola edhe me kryeministrin edhe me liderin e opozitës dhe që të dyve iu shpreha këndvështrimin tonë tepër të fortë se ne duam të shohim dialog. Kjo sigurisht, në lidhje me rrethanat e dhunës së një jave më parë. Miroslav Lajçak ishte atje javën e kaluar dhe pati diskutime të mira, nëpërmjet të cilave ne shtymë dhe nxitëm për dialogun e duhur mes opozitës dhe qeverisë dhe ai do të kthehet sërish atje këtë javë nëse do të jetë e nevojshme për të nënvizuar më tej një mesazh të tillë. Kjo është pika ku ne duhet të fokusojmë vëmendjen tonë duke ushtruar, siç po e bëjmë, një presion të forte. Ndërkohë, vlerat europiane që mbajmë, janë vlerat bazë të asaj çfarë ne jemi: demokracia, sundimi i ligjit, aftësia për të garantuar të drejtat themeltare dhe ato të njeriut janë absolutisht thelbësore për mënyrën se si ne i qasemi të gjithë kësaj çështjeje. Është absolutisht e rëndësishme që në një mënyrë të paqshme, të ketë një dialog të duhur për t’u përpjekur për të zgjidhur disa nga çështjet që përbëjnë shqetësim atje dhe kjo është ajo që do të vazhdojmë të bëjmë”, deklaroi Ashton.

Të njëjtën gjë, Përfaqësuesja e Lartë Ashton e ka përsëritur edhe në takimin me Ministrat e Jashtëm të BE-së. Diskutimi mbi Shqipërinë, në kuadër të çështjeve të tjera të axhendës, zgjati vetëm 6 minuta në këtë Këshill.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel