Homazhi, reagon PD

28/01/2011 19:55

Partia Demokratike ka reaguar pas protestës-homazh të opozitës për viktimat e 21 janarit. Deputeti demokrat, Aldo Bumçi ka akuzuar kreun e PS-së, Edi Rama si organizatorin e grushtit të shtetit.

“Sot u bëmë dëshmitarë të një skenari tjetër të turpshëm të Edi Ramës. Sot organizatori dhe përgjegjësi i grushtit të shtetit me 21 janar, u kthye të vendi i tij i krimit. Sot Edi Rama provoi që ishte ai dhe vetëm ai që organizoi dhunën kundër institucioneve të shtetit më 21 janar. Zoti Rama më kot përpiqet të trazojë jetën dhe mendjen e qytetarëve shqiptarë të cilët me kthjelltësinë e tyre i dhanë përgjigjen e merituar. Qytetarët e Tiranës ashtu siç braktisën përpjekjen e tij për të marrë pushtetin me dhunë më 21 janar, në të njëjtën mënyrë e braktisën atë dhe sot si çmimin që duhet të paguajë për dëmin që ai dëshiron t’i shkaktojë atyre dhe mbarë vendit”, është shprehur Bumçi.

“Zoti Rama kërkon të përdorë politikisht traditën e zisë shqiptare për të ligjëruar me çdo mënyrë atë që s’bëri dot më 21 janar. Por ti zoti Rama nuk mund të lash duart nga puçi dhe krimi i 21 janarit”, deklaroi Bumçi.

Top Channel