PE, të majtët kritika Berishës

27/01/2011 19:45

Grupi socialist dhe ai socialdemokrat në Parlamentin Europian, i udhëhequr nga Martin Shulz dhe Hanes Svoboda shprehu shqetësimin e thellë për situatën e rënduar politike në Shqipëri.

Përmes një deklarate, ky grup dënon fuqishëm miratimin e rezolutës nga partitë që janë pjesë e qeverisë në Parlamentin shqiptar, të cilët e quajtën demonstratën e së premtes si një rrethim të jashtëligjshëm të kryeministrit dhe një përpjekje për grusht shteti nga lideri i opozitës socialiste kundër qeverisë.

Duke vënë theksin të pasojat e ngjarjes, grupi i të majtëve në Parlamentin Europian këmbëngul se ata që janë përgjegjës për vrasjen e tre pjesëmarrësve në demonstratë duhet të dalin përpara drejtësisë, duke i kërkuar autoriteteve shqiptare të bashkëpunojnë plotësisht me zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, duke kryer hetimet e nevojshme.

Ata shprehin keqardhjen për deklaratën e kryetares së Parlamentit dhe të kryeministrit, duke ushtruar presion ndaj Prokurorit të Përgjitshëm për të hedhur poshtë akuzat kundër atyre që kanë qenë përgjegjës për vrasjet.

Grupi i socialistëve dhe socialdemokratëve në Parlamentin Europian nënvizon se vrasja e qytetarëve dhe ndërhyrja në rrjedhën e drejtësisë për të shmangur arrestimin e atyre që kanë dhënë urdhër për vrasjet, janë të papranueshme në një vend që kërkon anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Grupi i bën thirrje udhëheqësve të të gjitha partive politike që të zgjidhin problemet e Shqipërisë dhe të vendosin për të ardhmen e vendit përmes dialogut konstruktiv dhe në një mënyrë që është në përputhje me ambiciet e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Ata konfirmojnë të drejtë themelore për të demonstruar të popullit shqiptar. Të majtët gjykojnë se, në rrethanat aktuale organizimi i të tilla akteve mund të rëndojë më tej tensionet në vend dhe mund të rezultojë në një tjetër gjakderdhje.

Ata i bëjnë thirrje udhëheqësve të të gjitha partive politike që të tregojnë qetësinë e nevojshme dhe vetëpërmbajtje në këtë situatë të vështirë për Shqipërinë, që duhet të kontribuojnë për demokracinë dhe stabilitetin në vend.

Grupi i socialistëve dhe socialdemokratëve në PE së fundi i bën thjirrje Komisionit dhe Përfaqësueses së Lartë të shtojnë përpjekjet e tyre për të krijuar kushtet, në gjetjen e mënyrave për të dalë jashtë kësaj krize serioze në Shqipëri dhe të angazhojë udhëheqësit kryesorë politikë në një dialog kontrsuktiv për kursin e ardhshëm politik të vendit të tyre.

Top Channel