Rama: Më 28, demonstratë për 3 viktimat

24/01/2011 15:35

Kryetari i PS, Edi Rama ka konfirmuar mbajtjen më 28 janar të një proteste paqësore në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në nder të tre viktimave të 21 janarit.

“Të premten më 28 janar ne do jemi në demonstratën homazh për ata të tre, të vrarë nga dora barbare e kusarisë dhe matrapazllëkut. Do nderojmë të vrarët në bulevardin “Dëshmorët e Kombit, para syve të gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë. Do jemi të gjithë në bulevard për ata të tre, për të ardhmen evropiane dhe për fëmijët tanë”, ka deklaruar Rama.

Kreu i PS ka theksuar se opozita e bashkuar nuk do ta ndalë kurrë betejën e saj kundër kësaj qeverie, që sipas tij sulmon institucionet e pavarura për të mbrojtur pushtetin e saj.

“Ne do t’i kundërvihemi këtij pushteti, do protestojmë për clirimin e vendit nga kusaria dhe matrapazllëku. Për të mbrojtur pushtetin u sulmuan SHISH dhe prokuroria, ndërsa policia u bë bashkëpunëtore e qeverisë. Më 28 janar demonstrata do demonstrojë qytetari para ndërkombëtarëve, që po shohin se si një popull arrestohet e rrihet për të mbrojtur një pushtet kusarësh e matrapazësh”, ka pohuar Rama.

“Fakti që ky njeri i marrë nuk i ka futur dot nën sqetullën e regjimit të tij prokurorinë dhe SHISH, tregon se sa e drejtë është beteja jonë për clirimin e Shqipërisë. Më 28 janar demonstrata jonë do tregojë papërkulshmërinë tonë në këtë betejë”, ka vijuar ai.

Top Channel