Mustafaj: Situata politike, delikate

24/01/2011 22:05

Për Besnik Mustafaj, situata në Shqipëri pas protestës së 21 janarit është tensionuar edhe më shumë për shkak të fjalorit kërcënues të përdorur nga dy kampet politike.

“Sulmi i kryeministrit Berisha ndaj prokurorisë dhe SHISH është gjysma e tablosë, pasi edhe në kampin e organizatorëve të demonstratës kemi parë një retorikë kërcënuese, me fyerje dhe një fjalor të papërshtatshëm për këtë situatë. Deklarata e Ramës se, ne me këtë kryeministër nuk mund të marrim pjesë në zgjedhje më ka goditur më shumë”, ka deklaruar Mustafaj.

Sipas tij, si lideri i mazhorancës edhe ai i opozitës ndodhen në një situatë delikate, pasi e kanë kuptuar se kanë humbur mbështetjen absolute në radhët e mbështetësve të tyre.

“Të dy liderët, edhe Berisha edhe Rama, u drejtohen vetëm trupave të veta. Berisha kërkon t’i kompaktësojë demokratët, dhe po ashtu edhe Rama. Por e keqja e kësaj situate është se con në një përcarje të shoqërisë shqiptare, e cila do të gjendet në një situatë polarizimesh, ku manipulimi politik bëhet më i lehtë. Dy liderët ndjejnë një mosmbështetje të këtij radikalizimi nga mbështetësit e vetë”, ka pohuar Mustafaj.

“Nëse Rama thotë se unë nuk dal në zgjedhje me këtë kryeministër, ky është një sinjal negativ, sepse Berisha është një kryeministër legjitim dhe Rama nuk mund t’ia përcaktojë kryeministrin mazhorancës”, ka theksuar ai.

Sipas ish-ministrit të Jashtëm, edhe hetimi i Prokurorisë së Përgjithshme që lëshoi urdhër-arreste për 6 oficerë të lartë të gardës është i nxituar, pasi më parë duhet të hetohet nëse me protestën e 21 janarit ka pasur apo jo një grusht shteti.

“Më e rëndësishme është të hetohet nëse ka pasur grusht shteti. Hetimi i gardës mund të bëhet me qetësi. Pasi të arrihet në një përfundim nëse ka pasur ose jo grusht shteti, atëherë gjërat e tjera mund të zbardhen më lehtë”, është shprehur Mustafaj.

Më tej, ai ka sugjeruar edhe hapat që duhet të ndërmerrte kryeministri Berisha para se të akuzonte institucionet kushtetuese.

“Berisha duhet t’i kërkonte në mënyrë urgjente presidentit të mblidhte Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ku janë kryeprokurorja, kreu i SHISH, etj, të cilët do të uleshin në një tryezë dhe do të gjenin një zgjidhje”, ka shtuar Mustafaj.

Top Channel