KE: Hetim të plotë 21 janarit

24/01/2011 12:50

Komisioni Europian bën thirrje për hetim gjithëpërfshirës të ngjarjeve të 21 janarit dhe kërkon që politikanët të tregohen të matur, të qetë e të evitojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

“BE bën thirrje për rikthimin e qetësisë dhe normalitetit, për një demonstrim përgjegjshmërie dhe respektimi të shtetit ligjor. Ne mbështesim një hetim të ngjarjeve të së premtes, por kjo duhet bërë, e theksoj, në mënyrë gjithëpërfshirëse. BE konsideron se rruga për të dalë nga kriza aktuale është t’i jepet fund debateve politike dritëshkurtra dhe ne vend të kësaj fokusi të jetë axhenda europiane, në mënyrë që Shqipëria të përmbushë perspektivën e saj europiane dhe të punojë në interes të qytetarëve të saj”, ka deklaruar zëdhënësja Natasha Butler.

“Ne po ndjekim situatën nga afër, si përmes delegacionit të BE-së në Tiranë, ashtu dhe nga këtu në Bruksel. Jemi koordinuar dhe me institucione të tjera dhe vende të tjera. Rivendosja e qetësisë është thelbësore dhe është po kaq thelbësore të shmanget një përsëritje e dhunës që ndodhi të premten e që shkaktoi viktima në njerëz e të plagosur. BE mbështet hetimin, por vetëm po të jetë gjithpërfshirës”, ka theksuar ajo.

Më pas Butler i është përgjigjur edhe një pyetjeje të bërë nga Top Channel.

TCH: Prokuroria ka lëshuar 6 fletë-arreste të cilat nuk janë respektuar nga policia, ndërkohë që për qeverinë këto fletë-arreste cilësohen si të pabaza. Meqenëse kjo lidhet me kriterin e Kopenhagenit, a mendoni se funksionon në praktikë sundimi i ligjit në Shqipëri?

Butler: Unë nuk mund të komentoj ende mbi këtë aspekt, përderisa hetimi nga prokuroria sapo ka nisur. Ngjarjet ndodhën ditën e premte dhe mesa jam e informuar, Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimet. Ndërkohë që në vend ka patur edhe një vendim nga një komision hetimor parlamentar për të bërë hetimin. Gjithcka që mund të them unë është se, është e rëndësishme që sistemi gjyqësor në Shqipëri të respektojë sundimin e ligjit dhe të mundësojë bërjen e një hetimi tërësor dhe transparent. Ne presim gjithashtu që edhe qeveria shqiptare të bashkëpunojë për të realizuar një hetim tërësor dhe transparent për ngjarjet e së premtes që cuan në një numër të vdekurish dhe të plagosurish.

Natasha Butler u pyet për gati 20 minuta mbi Shqipërinë. Pse komisioneri Shtefan Fyle nuk shkon në Tiranë për të zgjidhur situatën, por pret të reagojnë në fillim amerikanet? U pyet nëse ekziston demokracia në Shqipëri, si dhe për deklaratat e kryeministrit Berisha mbi shembullin tunizian.
 
Por në përgjigjen e saj, zëdhënësja e komisionerit Fyle deklaroi se i takon liderëve politikë shqiptarë që të zgjidhin vetë problemet e tyre aktuale. Dialogu politik duhet të jetë i qetë e gjithpërfshirës, të marrë fund kriza aktuale si dhe të respektohet sundimi i ligjit.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel