Topi takim me ambasadorët

22/01/2011 21:15

Presidenti i Republikës, Bamir Topi pati sot pasdite tre takime të veçanta pune në zyrën e tij me kreun e delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sekui, me ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona Mekiluam dhe me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu.

Në deklartën për shtyp të zyrës së Presidencës thuhet se “presidenti Topi, i cili po ndjek në vazhdimësi situatën e krijuar në vend pas ngjarjeve tragjike në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, theksoi rëndësinë e stabilizimit sa më shpejt të situatës së rëndë dhe rikthimin e rendit publik si dhe rivendosjen e menjëhershme të dialogut politik institucional”.

Presidenti shprehu edhe njëherë mesazhin drejtuar partive politike dhe çdo qytetari se “ruajtja e institucioneve dhe e rendit kushtetues është jetike për fatet e demokracisë dhe jetën e çdo individi të shoqërisë sonë”.

Kreu i shtetit shqiptar ndau me ambasadorët e vendeve mike dhe aleate shqetësimin e thellë për gjendjen e krijuar, e cila dëmton gjithashtu rëndë perspektivën evropiane dhe imazhin e Shqipërisë, duke theksuar se faktorët politikë duhet të gjejnë vullnetin politik për kapërcimin e kësaj situate.

Bashkëbiseduesit vlerësuan se është i domosdoshëm bashkëpunimi mes institucioneve të zbatimit të ligjit për zhvillimin e një hetimi sa më transparent, profesional e të paanshëm.

Top Channel