Meta: Demonstrata do cënojë rendin

19/01/2011 14:35

Lëvizja Socialiste për Integrim është e shqetësuar për rendin publik në Tiranë më datë 21 janar.

Sipas Ilir Metës, LSI ka informacione se socialistët po përpiqen të rekrutojnë kontigjent kriminal për të shkaktuar trazira.

“Do t’i cohen me shkrim Policisë së Shtetit për këto përpjekje nga përfaqsues të Edi Ramës dhe të strukurave jolegjitime të tij për të mobilizuar elementë të inkriminuar, për të sjellë një arsenal kriminal për të goditur institucionet në emër të popullit. Kërkoj nga të gjithë institucionet legjitime të vendit, që të merren të gjitha masat për të ruajtur qetësinë dhe për të mbrojtur institucionet”, ka deklaruar Meta.

Meta tha se në rast trazirash, përgjegjësia do të jetë direkte e Edi Ramës. “Nuk është në natyrën e socialistëve që të përkrahin një alternativë të tillë, që të përkrahin aventurierë të tillë, të cilët flasin në emër të popullit, por veprojë në interesin dhe kontrollin e plotë të bandave”, ka pohuar Meta.

Zoti Meta nuk bëri asnjë koment mbi kërkesën e prokurorisë për ekspertizë amerikane për autenticitetin e videos. Sipas tij, ai po mendon tani vetëm për fitoren në zgjedhjet e 8 majit.

Top Channel