Rama: Berisha t’u hapë rrugë zgjedhjeve

18/01/2011 14:35

Kryetari i PS, Edi Rama ka reaguar ndaj seancës së mbrëmshme parlamentare, ku kryeministri hodhi akuza ndaj jetës së tij private.

Në një deklaratë për mediat, Rama është shprehur se këto sulme të kryeministrit vijnë për shkak të pozitës së rëndë politike në të cilën ndodhet vendi.

“Saliu po futet në rrugën e gabuar të konfliktit me popullin. Kryeministri po bën gabimin që bëri kur u kap në flagrancë me Suden, ndërsa këtë herë populli e ka kapur në flagrancë me Ilir Metën. Saliu po vazhdon të provokojë, duke iu sulur opozitës si i marrë. Marrosja e djeshme e Saliut, që iu kërkonte deputetëve të zhvisheshin, ishte thirrja më jehuese për daljen e popullit në demonstratë”, ka deklaruar Rama.

Demonstrata, sipas tij, nuk ka si qëllim ardhjen e së majtës në pushtet, por heqjen e pushtetit nga një kryeministër sipas tij uzurpator, që po shkel cdo të drejtë të qytetarit.

“Jo për të sjellë PS në pushtet, por për t’i hequr shtetin nga duart kësaj qeverie. Që qeveria të marrë fund duhet të largohet ky kryeministër i votave të vjedhura dhe që luan mendsh. Populli ka një liri kushtetuese dhe të drejtë historike që nuk i ka asnjë forcë dhe asnjë institucion dhe mohimi i kësaj lirie bëhet kur Kushtetuta merret peng. Kur sistemi politik del jashtë loje”, ka pohuar Rama.

Sipas tij, i ndodhur në një situatë pa zgjidhje politike, populli shqiptar mund të kërkojë mënyra të tjera për rrëzimin e qeverisë, madje edhe rebelimin.

“Ne s’mund të bëjmë më shumë për një zgjidhje politike dhe populli mund të na tejkalojë, prandaj Saliu duhet të japë zgjidhje duke pranuar zgjedhjet e reja dhe kthimin e normalitetit në Parlament”, ka shtuar Rama.

Top Channel