Fjalorët janë si sahatet, edhe ai më i dobti është më i mirë se asgjë, ndërsa më i miri, nuk është i përkryeri.

Në këtë dilemë linguistike të vlerës së fjalorit dhe domosdoshmërisë së tij, do të flasim për mënyrën e re që ofron teknologjia në përdorimin e tyre: fjalorët eletronike.

Nëse në një moment të caktuar na duhet përkthimi i një fjale, nëpërmjet internetit, shkurtojmë kohën dhe kuptojmë se çfarë do të thotë në shqip emërtesa:

“Fjalorët elektronikë janë motorë kërkimi të cilët marrin impute (fjalë) dhe nxjerrin shpjegimin e këtyre fjalëve”, shpjegon Saimir Zeneli, webmaster në Digitalb.

Për të kuptuar më mirë se çfarë ndodh me sistemin, kur ne jemi në kërkim të
domethënies së fjalës, apo frazës, nga gjuhët e huaja në shqip, informaticienët japin këtë shpjegim.

“Nëse fusim një fjalë në një fjalor elektronik do të japë përcaktimin e asaj fjale, mënyrat e përdorimit të saj në fjali etj”, shton Zeneli.

Por, sa të vlefshëm janë fjalorët elektronikë, për të gjitha nivelet e qarkullimit të dijeve, në raport me ata dygjuhësh të printuar, përdorimi i të cilëve kërkon kohë, në gjetjen e fjalës e përcaktimin e kontekstit.
 
“Fjalori elektronik është një zëvendësues shumë i mirë i fjalorit klasik dhe ka një avantazh sepse mbledh përvojat e disa fjalorëve të tillë”, thekson Aurel Plasari.

Fjalorët elektronikë në internet i gjejmë në gjuhë të ndryshme. Duke i besuar faqes së “Google”, në emetimin e fjalorëve zyrtarë nga gjuhët e huaja në shqip, për pjesën tjetër, specialistët që lundrojnë në internet thonë se ata janë të besueshëm, të emetuar nga kompani serioze gjuhësore dhe të licensuar nga
institucionet përkatëse.

Duke patur parasysh që shqipja është një gjuhë e rrallë e familjes indo-evropiane, pyesim veten nëse “ajo e ka tejkaluar sfidën e madhe të përkthimit nga gjuhët e huaja, sikundër ka ndodhur me gjuhët e tjera të vendeve fqinje dhe më gjerë?

Plasari shprehet: “Sprovat në gjuhën shqipe janë të varfra. Gjuhët e mëdha si italisht, spanjisht, gjermanisht dhe frengjisht i kanë kaluar këto sprova në internet me sukses.”

Por, a janë të denjë fjalorët eletronikë për të zëvendësuar ata të hartuar prej emrave të mëdhenj të përkthimit në shqip.

“Në rastin e shqipes, fjalorët janë të pazëvendësueshëm me ata elektronikë. Nuk ka një fjalor që të zëvendësojë atë të Vedat Kokonës… të paktën për momentin”, shprehet Plasari.

Dhe nëse flasim për programe përkthimi, a mund të pretendojmë për një punë kualitative për atë që na ofron interneti ku koha, në të tilla raste, për punën e njeriut konsiderohet “armiku kryesor”.

“Përkthimet e fjalorëve elektronikë janë empirike. Nuk arrihet të përkthehet gramatika dhe morfologjia e fjalisë. Përkthimi është shumë larg një përkthimi profesional”, sqaron Plasari.

Me atë çfarë treguam deri tani, kuptuam që fjalori elektronik dhe ai klasik janë në një luftë të heshtur, gjithmonë në shërbim të njeriut dhe të komunikimit të tij me botën.

Top Channel