Kodi Zgjedhor, Berisha ofertë opozitës

17/01/2011 13:50

Kryeministri Sali Berisha i ka bërë ofertë opozitës që të hartojë amendamentet e nevojshme për Kodin Zgjedhor dhe ka shprehur angazhimin e mazhorancës për t’i votuar në Parlament, nëse ato do të jenë në përputhje me ligjin.

“Opozita do të ketë ofertën tonë të hartojë çdo ligj apo amendament që beson se i duhet në konceptin e vetë. Ti dërgojë ato në Komisionin e Vencias apo OSBE-ODIHR, të marrë dritën jeshile dhe ne do i votojmë. Ne kemi sistemin më të mirë zgjedhjor që në çdo gërmë dhe fjalë është më i miri”, është shprehur Berisha në mbledhjen e kryesisë së PD-së, në ditën e nisjes së sesionit të dytë të legjislaturës së 18 të Kuvendit të Shqipërisë.

“Viti që vjen do të jetë një ndër më të suksesshmit që kemi pasur. Kemi një test shumë të rëndësishëm politik dhe këto janë zgjedhjet vendore. Do bëjmë gjithçka që shqitarët të votojnë të lirë”, theksoi Berisha.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri ka vënë theksin edhe tek heqja e imunitetit, duke deklaruar një nismë të mazhorancës për ta hequr atë.

“Heqja e imunitetit të firmoset nga të gjithë anëtarët e mazhorancës, ta depozitojmë në Parlament, të bëjmë ndërhyrje në rregulloren e Parlamentit dhe të adoptojmë një standard të cilën e praktikon vendi më i madh i BE-së, Gjermania. Nëse opozita dëshmon vullnet për të bërë ndryshimet e duhura, ne jemi të gatshëm që nesër t’i bëjmë ato në interesin më të mirë të vendit”, tha Berisha.

Top Channel