KE: Shqipëria të hetojë vetë

17/01/2011 20:15

Ndryshe nga SHBA-të, Komisioni Europian vlerëson se prokuroria shqiptare i ka të gjitha mjetet dhe se i takon kësaj të fundit të hetojë vërtetësinë e video-regjistrimit Meta-Prifti.

Pas konfirmimit nga ambasada amerikane, se kësaj të fundit i është kërkuar ndihmë për ekspertizë nga hetuesit vendas, të pyetur nga TCH në Bruksel se:

“A do të mund ta bënte edhe BE një ekspertizë të ngjashme nëse do t’i kërkohej, në kuadër të aspiratave të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në këtë organizatë”, përgjigjja që vjen nga kabineti i komisionerit Fyle është:

“Komisioni Europian nuk mund të ndërhyjë në një lloj të tillë kërkese afatshkurter, sic është bërja e ekspertizës së një videoje. I takon Shqipërisë tashme të dëshmojë se sistemi i tyre ligjor i ka të gjitha mjetet për ta trajtuar në një rrugë të ndershme dhe efikase këtë cështje”.

Për t’u kuptuar sa më mirë vërtetësia dhe ironia brenda kësaj përgjigjeje, vlen të theksohet se pjesa më e madhe e buxhetit europian për Shqipërinë shkon, ndër vite, në ndërtimin e institucioneve shqiptare, e kryesisht për forcimin e kapaciteteve të atyre institucioneve që merren drejtpërdrejt me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Këtu përfshihen edhe mjetet e ndryshme teknike të ofruara nga BE, si dhe trajnimet e panumërta për raste të tilla apo dhe për raste të tjera hetimesh më të komplikuara se ai i orgjinalitetit të një videoje.

Me t’u njohur me rastin në fjalë, para disa ditësh, Komisioni Europian kërkoi nga institucionet e pavarura, sipas Kushtetutës shqiptare, të drejtësisë vendase që:

“Sistemi ligjor shqiptar të punojë në mënyrë plotësisht të pavarur dhe të paanshme dhe se kjo punë duhet të cojë pa asnjë pengesë drejt një hetimi të shpejtë dhe efikas, i cili duhet pasuar nga ndjekja nëse janë me vend, si dhe nga ndëshkimi i të gjithë personave që do të shpallen fajtorë”.

Nga Brukseli: Arta Tozaj

Top Channel