Një anije me 263 emigrantë klandestinë u mbyt mëngjesin e së dielës 30 milje në perëndim të ishullit të Korfuzit.
Sipas rojes bregdetare greke, anija me gjatësi 30 metra me flamur turk, filloi të fusë ujë dhe në vazhdim u mbyt pak përpara orës 5 të mëngjesit të së dielës.
Një prej klandestinëve mundi të telefonojë në një prej numrave SOS të kompanive celulare pak para se të gjithë klandestinët të bien në ujë.
Roja bregdetare sqaroi se ka shpëtuar 241 persona ndërsa vazhdojnë operacionet për gjetjen e 22 personave të tjerë që ndodheshin në anije.
Mësohet se emigrantët janë pothuajse të gjithë nga Afganistani. Ata kanë paguar disa mijëra dollarë secili për tu transportuar në brigjet italiane prej trafikantëve turq.
Në operacionet e shpëtimit marrin pjesë 2 helikopterë dhe një avion i rojes bregdetare ndërsa disa anije shpëtimi po i drejtohen zonës.
Autoritetet greke po përgatisin me urgjencë një qendër për t’iu dhënë klandestinëve ndihmën e parë ndërsa spitalet e zonës janë vënë në gjendje gadishmërie.
Top Channel