Presidenti serb Boris Tadic dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë serbe kanë marrë një mesazh ku kërcënoheshin me vdekje.
Mesazhin e ka marrë një zyrtar i Ministrisë së Brendshme, në formë sms-je, ku vec Tadic kërcënohen edhe ministri i Brendshëm Ivica Dacic, shefi i policisë Veljovic dhe patriarku ortodoks Irinej.
Lajmi është publikuar në të përditshmen “Blic”. Një burim i ministrisë i cituar nga kjo gazetë ka deklaruar se mesazhi është dërguar nga një eksponent i njohur i botës së krimit dhe është konsideruar si një paralajmërim dhe jo kërcënim direkt.
Në dhjetor të vitit 2010 shërbimet sekrete serbe zbuluan gjatë hetimit të një organizate kriminale aktive në trafikun e drogës, një plan për vrasjen e presidentit Tadic.
Lajmin në atë kohë e bënë të ditur burime zyrtare serbe, sipas të cilave organizata kriminale në fjalë drejtohej nga shtetasi serb Darko Saric, i cili po planifikonte vrasjen edhe të disa zyrtarëve të tjerë.
Sipas burimeve, klani Saric është një ndër më të fuqishmit në furnizimin e Evropës me kokainë, vetëm në Serbi ai ka pastruar 1.3 miliardë dollarë.
Top Channel