Prokuroria, tjetër dosje e Rulit

16/01/2011 19:30

Sytë e të gjithëve janë kthyer nga prokuroria që ka nën hetim dosjet më sensitve për momentin, tek të cilat lakohen emra  zyrtarësh nga nënpunës deri tek funksionarë të lartë të shtetit, të dyshuar për shpërdorim detyre, korrupsioni aktiv dhe pasiv apo kontrabandë.

Padyshim kjo periudhë mund të konsiderohet më e ngarkuara për prokurorinë shqiptare e në vecanti për njësinë Task Force në Tiranë e cila ka nën verifikim gjashtë dosje të bujshme dhe delikate, që nga kontrabanda e naftës, koncensionet hidrike dhe të minierave, deri tek më e fundit, pamjet filmike që shfaqin realitetin e jetës politike në vend.

Pas videos se Ilir Metës, dosja më e fundit që ka marrë shkas nga publikimi i skandaleve në zyrat e ministrive është ajo e denoncuar gjatë javës nga deputetja socialiste Felaj.

Prokuroria ka nisur hetimet sepse referuar fakteve të publikuara nga depuetja, ish-Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ka skualifikuar pa të drejtë një kompani italiane gjatë dhënies me koncension të ndërtimit të hidrocentralit Bënçë-Progonat. Sipas denoncimit të deputetes, gjithcka është bërë për të favorizuar një tjetër kompani.

Por ish-ministri Ruli është thirrur më herët në të njëjtën prokurori edhe për një dosje tjetër të hapur e nën hetim, sikurse është ajo e hidrokarbureve apo për dosjen e procedurave të ndjekura përgjatë privatizimit të ish-ekspozitës “Shqipëria Sot”.

Ruli lakohet gjithashtu edhe në dosjen në hetim mbi marrëveshjen koncensionare për minierën e kromit në Bulqizë. Aktualisht për këtë dosje hetuesit po verifikojnë shkeljen ligjore me ndryshimin e marrëveshjes koncensionare të bërë nga ish-ministri Ruli me akuzën e parë “shpërdorim të detyrës”.

Një çështje tjetër e cilësuar si “hetimi i shekullit” nga ish-ministri Prifti ndodhet në duart e prokurorëve, i regjistruar për veprat penale kontrabandë me mallrat që paguhet akcizë dhe shpërdorim detyre. Prokuroria ka administruar gjithë dokumentacionin e shoqerisë ARMO që ka të bëjë me përpunimin e naftës bruto, sasisë së prodhuar të nënproduktit vergine si dhe transportimit dhe eksportimit të kësaj të fundit.

Nga ana tjetër kur prokuroria regjistroi nisjen e hetimeve pas deklaratave të deputetes demokrate, Albana Vokshi për atë që u njoh më pas si “dosja e 20 përqindeshit”, muaj më pas prokurorët i pushuan hetimet për shkak se faktet nuk ekzistonin sikurse pretendonte deputetja Vokshi.

Madje, partneri i saj, në dëshmitë e dhëna në prokurori kundërshtonte pikërisht ato që thoshte Vokshi publikisht. Ndërsa vetë Vokshi, ndryshe nga sa thoshte publikisht, në prokurori nuk dha asnje provë që të mbështeste deklaratat e saj.

Por prokurorët kanë mbajtur nën hetim cështjen tjetër atë të denoncuar nga socialistët mbi përfitimin e paligjshëm të lejes koncensionare të ndërtimit të gjashtë HEC-eve mbi lumin Kardhiq.

E së fundmi, por jo nga rëndësia hetimet mbi videon ku transmetohet biseda skandal mes ish-zv.kryeministrit Ilir Meta dhe ish-ministrit Dritan Prifti, hetimet për të cilën do të marrin rrugë vetëm kur FBI të kthejë përgjigje nëse janë pamjet origjinale apo jo.

Ajo që tremb opinionin publik është se si do të përfundojnë këto hetime? Vetëm në një rast një dosje e madhe ka përfunduar në gjykatë, edhe pse jo e plotë, ajo e Gërdecit e që gjithësesi, procesi duket më shumë në prag të dështimit se sa pranë vënies së drejtësisë. Dosjet e tjera sensitive, referuar të kaluarës kanë humbur dhe janë mbyllur me justifikimin e procedurave duke mos shkuar në gjyq e duke sjellë vendime të gjykatës e cila në asnje rast nuk ka shpallur fajtorë zyrtarë të lartë të implikuar.

Ndoshta për këtë arsye edhe Komisioni Europian bëri thirrje për skandalin që përfshin Ilir Metën, asnjë të mos pengojë hetimin, i cili duhet të jetë i shpejtë, pa pengesa dhe nëse vërtetohen akuzat, të ndëshkohen përgjegjësit

Top Channel