Regjistrimi i automjeteve në Kosovë po shkakton radhë të gjata para institucioneve përkatëse.
Pritja me orë të tëra për të marrë targat e reja me kodin RKS dhe për të bërë regjistrimin e automjeteve duket se po nxit nervozizmin e qytetarëve për të paguar shumën shtesë.
Pagesa shtesë është prej 25 eurosh. Sipas qytetarëve, zëvendësimi i targave nuk do të duhej të bëhej me pagesë.
“Pagesa është e rëndë për xhepin e kujtdo”, shprehet një qytetar.
Regjistrimi i një makine mesatare duke i bashkangjitur të gjitha taksat e tjera, arrin çmimin deri në 250 euro.
Ndërkohë që çmimi më i lartë për regjistrimin e automjeteve të rënda shkon mbi 1 mijë euro.
Qendra e Regjistrimit të Automjeteve ende nuk ka arritur t’i futë në treg edhe targat për automjetet me peshë të rëndë.
Për pasojë të kësaj, shumë bizneseve iu është bllokuar transporti jashtë vendit për shkak të mungesës së targave e të regjistrimit.
Por me strategjinë e re shpresohet se kjo do të detyrojë edhe qytetarët serbë që t’i regjistrojnë makinat e tyre me targa të Kosovës pasi do t’ju ndalohet qarkullimi nëpër territorin e Kosovës me targa të ish-Jugosllavisë.
Top Channel