Duket se AAK-ja nuk do të mund t’i shpëtojë koalicionit me Partinë Demokratike të Kosovës, me gjithë deklaratat refuzuese të shfaqura së fundmi.
Derisa një pjesë e kryesisë së AAK-së ndodhet në Hagë për t’u takuar me Ramush Haradinaj, njëri nga nënkryetarët e AAK-së, Naim Maloku në një intervistë për “Express” është deklaruar pro koalicionit me PDK-në.
I kontaktuar nga Top Channel, zoti Maloku sqaroi deklaratën e tij duke thënë se është në favor të krijimit të një koalicioni të gjerë PDK, LDK, AAK.
Kjo, sipas tij, do të krijohej me një marrëveshje politike mes këtyre partive dhe do t’i siguronte qeverisë së ardhshme 61 vota të deputeteve shqiptarë në Kuvend.
Maloku tha se nuk do dëshironte të bëhej pjesë e qeverisë vetëm me PDK-në dhe pakicat serbe.
Kjo për shkak se, sipas tij, Kosova po kalon nëpër momente të rëndësishme politike duke iu referuar bisedimeve me Serbinë dhe zgjidhja më e mirë do të ishte që qeveria t’i ketë të siguruara 61 vota të deputetëve shqiptarë.
I pyetur nëse këtë qëndrim e ka paraqitur në parti, nënkryetari i AAK-së tha se janë disa anëtarë të cilet e përkrahin këtë ide, ndërkohë që për t’u diskutuar më gjerë tha se është në pritje të propozimit të PDK-së.
Disa nga anëtarët e kryesisë së AAK-së, si Ardian Gjini dhe Avni Arifi nuk e mirëpritën deklaratën e Naim Malokut, pasi siç thanë ata, nuk është arritur ndonjë vendim për këtë në kryesi.
Madje anëtari i kryesisë së AAK-së Avni Arifi tha se deklarata e Naim Malokut pro koalicionit me PDK-në në një kohë kur dihet qendrimi refuzues i AAK-së është “thikë pas shpine”.
Top Channel