Komisioneri evropian për Zgjerimin, Shtefan Fyle ka deklaruar se procesi i zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor është në interes të vetë Bashkimit Evropian.
Sipas tij, është në interes të BE-së që të ketë përparime në planin e zgjerimit, si një mundësi për të krijuar një Evropë më të sigurt dhe më prosperuese.
“Do ta merrja si shembull Ballkanin Perëndimor. Para 15 vjtësh ky rajon para syve të të gjithëve ka qenë vend i shkatërrimit dhe dëshpërimit. Ndërsa tani në të po përforcohet paqja dhe stabiliteti përmes një perspektive të qartë të anëtarësimit në BE”, ka pohuar Fyle gjatë një fjalimi në Dhomën e Lartë të Parlamentit britanik.
Komisioneri ka shtuar se zgjerimi i deritanishëm ka rezultuar i suksesshëm, pasi në vendet ku më parë ka sunduar diktatura, tani po forcohet demokracia dhe po vendoset sundimi i ligjit.
Top Channel