Kryetarja e Parlamentit Serb, Slavica Dukic-Dejanovic, paralajmëroi që nuk ka asnjë garanci që vendit të saj t’i jepet statusi i vendit kandidat në mars.

Duke folur për agjensinë serbe “Beta”, kryetarja argumentoi se “vendi i saj është duke bërë hapat e tij në bisedimet ndaj Prishtinës, por në një tavolinë me dy persona, nuk mund të vendosë vetëm njëra palë”. Megjithatë, ajo shtoi se Beogradi nuk mund të lejojë që të shkëputet nga vizioni për një të ardhme europiane.

”Pa dyshim, fitimi i statusit të vendit kandidat është i pasigurt. Nëse do të kishte qenë i sigurt, atëherë të gjithë do të ishim të lumtur dhe do të merreshim me gjëra të tjera. Për fat të keq, mbeten ende shumë pika të debatueshme në negocimet tona me BE-në dhe për këtë arsye nuk kemi asnjë garanci”, theksoi Dukic-Dejanovic, ndërsa i bëri apel forcave kryesore politike që të rrisin përpjekjet e tyre për antarësimin.

”Objektivi ynë është Bashkimi Europian dhe nuk ka asnjë arsye për të hequr dorë. Duhet të intensifikojmë përpjekjet tona dhe është e qartë që do të luajmë rolin tonë konstruktiv në bisedime (me Kosovën). Megjithatë, është e qartë që ne jemi më pranë Europës se sa është ajo për ne”.

Kryetarja e Parlamentit, gjithashtu shtoi: “Në këtë moment, Europa ka problemet e saj. Ne nuk jemi një problem kryesor për kontinentin. Në një kohë kur flitet për qëndrueshmërinë ekonomike të vendeve antare, është e vështirë të flitet edhe për zgjerimin. Për fatin tonë të keq, në këtë moment, çështja e statusit është për Europën shumë më pak e rëndësishme se sa për ne”.

Në fjalën e saj, Dukic-Dejanovic gjithashtu iu referua statusit të Kosovës, ndërsa përsëriti retorikën e Beogradit zyrtar se “njohja e pavarësisë së kësaj krahine brenda territorit të Serbisë ka rënë ndesh me rezolutën 1244 të OKB-së dhe si rrjedhojë, pavarësia është de fakto e paligjshme”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA