Mbyllet viti i Nënë Terezës

28/12/2010 15:35

Me disa fjalë të Nënë Terezës, të recituara me ndjenjë nga aktori Mirush Kabashi kanë shënuar epilogun e një viti kushtuar humanistes së madhe shqiptare në 100 vjetorin e lindjes së saj.

Në një ceremoni mbresëlënëse, të organizuar nën kujdesin e kryeministrit Sali Berisha dhe bashkëshortes së tij, Liri Berisha, si rezidente e fondacionit “Nënë Tereza”, kjo figurë unike e njerëzimit është përkujtuar me nderim dhe mirënjohje për virtytet që ajo i përcolli botës mbarë.

“E përqëndruar në një mënyrë që vetëm misionarët shenjtorë mund të përqëndrohen, kjo grua të gjithë adhurimin që kishte për Zotin e shndërronte në një dashuri për njeriun, për ata të cilët të tjerët nuk i donin më”, është shprehur Berisha.

Një nga protagonistët kryesorë të ceremonisë ishte kleriku kosovar Dom Lush Gjergji, autor i monografisë “Nënë Tereza, nëna e dashurisë”. Dom Gjergji, i njohur si një nga njerëzit më të përkushtuar dhe më të afërt të Nënë Terezës përcolli me emocione një nga amanetet e fundit të Nënë Terezës.

“Më tha më jep duart. I dhash njërën dorë dhe më tha: ‘Çdo bëj sot për Zotin dhe çdo bëj sot për njeriun’. Nëse ke pasur mundësi të bësh mirë dhe s’ke bërë, shko pusho dhe mendo që ke edhe ditë të tjera”, tha Dom Lush Gjergji.

Dhe në këtë fund viti, një lutje nga Nënë Tereza është urimi më i mirë për të gjithë.

“Zoti të mbroftë Shqipërinë, Zoti e mbroftë besimin!”, tha Kabashi.

Top Channel