
Në një ditë me temperatura nën zero, Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka mbetur pa ngrohje.
Që nga dita e djeshme, kompania “Termokos” nuk ngroh më klinikat dhe repartet e QKUK, për shkak të krizës financiare dhe mungesës së lëndës djegëse, mazutit.
“Gjendje më e vështirë paraqitet në shërbimet e urgjencës, në sallat e operacionit, në klinikën e gjinekologjisë, në qendrën emergjente, në repartin e mjekimit intensiv dhe në shërbimet e tjera”, thuhet në një komunikatë të QKUK.
QKUK iu bën thirrje zyrtarëve më të lartë të institucioneve të vendit që të sigurojnë urgjentisht ngrohje për klinikat dhe shërbimet e tjera, sepse si pasojë e mungesës së ngrohjes po rrezikohet jeta e pacientëve.
Ndërkohë, kompania “Termokos” premtoi se do të sigurojë ngrohje nga nënstacioni i dedikuar me naftë për QKUK, por në një komunikatë thuhet se edhe kjo zgjidhje është për pak ditë, pasi kjo lëndë djegëse është më e kushtueshme.
Kompania që ngroh kryeyqtetin e Kosovës është zhytur në borxhe dhe bën të ditur se ka shpenzuar të gjithë sasinë e fundit të mazutit, që kishte siguruar javën e kaluar po me anë të një borxhi.
Top Channel