
Polemikat që shoqëruan procesin zgjedhor në Kosovë, me rinumërimin dhe me përsëritjen e zgjedhjeve në tre komuna, kanë risjellë në vëmendje nevojën e ndryshimit sërish të ligjit elektoral.
Të këtij mendimi janë ekspertë dhe ish-drejtues të komisionit zgjedhor të Kosovës.
“Duhet një kod i ri zgjedhor në të cilin duhet të përfshihen materiet ligjore dhe nënligjore, duke filluar nga 5 ligje të domosdoshme elektorale. Ligjin mbi zgjedhjet e përgjithshme, ligji për KQZ-në, ligji për zgjedhjet lokale, ligj mbi partitë dhe ligji për financimin e partive”, deklaron Mazllum Baraliu, ish-kryetar i sekretariatit të KQZ-së.
Ndërsa Zait Xhemali, ish-kryetar i KQZ-së, sugjeron largimin e militantëve partiakë nga procesi i përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore.
“Kemi pasur votime me kosh, që sipas mendimit tim janë pengesa që duhen hequr. Qytetari shkon e voton në disa qendra dhe më pas dalin problemet. Komisionerët nuk duhet të jenë partiakë. Partitë politike duhet t’i lënë njerëzit e tyre vetëm si vëzhgues”, shprehet Xhemali.
Top Channel