Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci ka shprehur bindjen e tij se koalicioni i ri qeverisës do të formohet një javë pas përsëritjes së zgjedhjeve në pesë komuna.

“Unë flas me bindje të plotë se që në javën e parë pas 9 janarit do ta zyrtarizoj koalicionin shumëpërfshirës dhe shumëetnik”, ka deklaruar Thaci për të përditshmen “Koha Ditore”.

Thaci nuk ka treguar se cilët mund të jenë aleatët e tij, por ka bërë të ditur se cilët nuk do të jenë, duke e vënë theksin tek LDK-ja dhe Vetëvendosje.

“Ata që janë kundër autostradës, kundër ekonomisë së lirë të tregut, kundër privatizimeve dhe që i përkasin mentalitetit të së kaluarës nuk mund të jenë në qeverinë time”, ka pohuar Thaci.

Më tej kryetari i PDK-së ka folur mbi mundësinë e afrimit me AAK-në, duke theksuar se nuk i merr seriozisht vijat e kuqe të përfaqësuesve të saj dhe duke mos e mohuar mundësinë e një takimi me Haradinaj në Hagë.

Top Channel