Nga Prishtina ende nuk ka ndonjë qëndrim ndaj deklaratave të deputetit socialist Erjon Braçe lidhur me një CD ku përveç emrit të tij dhe të Edi Ramës, përmenden edhe Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi e Ramush Haradinaj.

“Emri i zoit Thaci përmendet një ditë po një ditë jo, nuk ma merr mendja që është serioze që të përmendet në cdo vend të botës dhe me fqinjët. Është një cështje që kërkon sqarime”, ka deklaruar Memli krasniqi, zëdhënës i qeverisë.

Në kryeqytetin kosovar nga ana tjetër debatohet mbi polemikat që ka shkaktuar raporti i Dick Marty.

Përsa i përket akuzave të lëvizjes Vetëvendosje, që e cilësojnë Hashim Thaçin si njeri kryesor të krimit, zëdhenësi Krasniqi i quajti anëtarët e kësaj lëvizjeje marksistë, të paedukatë dhe se, sipas tij, shpirti rebel i tyre do të mësohet me rendin dhe ligjin.

Ndërsa ne lidhje me raportin e Dick Marty, Krasniqi përseriti se qëllimi është që të dëmtohen shqiptarët dhe njerëzit e politikës.

Deklaratat e Krasniqit u bënë pas një mbledhjeje të qeverisë, ku kryeministri në largim Hashim Thaçi u zotua se premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale do të përmbushen nga janari.

“Është mbledhja e parë pas zgjedhjeve. Politika e qeverisë për konceptet shtesë qeverisëse do të vazhdojnë në kuptimin e mandatit të ardhshëm 4-vjecar. Do vijojmë në konsolidimin e shtetit të Kosovës evropiane, për Kosovën e liberalizimit të vizave, të NATO-s dhe të afrimit me BE-në”, ka deklaruar Thaçi.

Thaçi, i cili njëherësh është kryetar i PDK-së, e cila doli e para në zgjedhjet e 12 dhjetorit, tërthorazi i ktheu përgjigje edhe kreut të LDK-së Isa Mustafa, se zgjedhje nuk do të ketë deri në vitin 2014.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta