Përmbytje në Lezhë e Kurbin

21/12/2010 20:05

Prurjet e mëdha të përrenjve malorë drejt lumit Drin kanë shkaktuar disa dëme te banorët, ndërkohë që dhjetra hektarë tokë janë nën pushtetin e ujit tashmë.

Sipas Shtabit të Emergjencave ka probleme në disa njësi vendore si në komunën Balldre, Zejmen dhe Kallmet.

Në këtë të fundit uji doli nga kanali kryesorë, ndërkohë që në një segment rrugorë qarkullimi i mjeteve të vogla është i vështirë.

Banorët thonë se në këtë pjesë uji mori me vetë edhe një makinë, por pa pasoja në jetë.

Në komunë e Zejmenit raportohet për disa hektarë tokë të përmbytura si dhe shumë shtëpi të rrethuara nga uji.

Një situatë të përkeqësuar paraqet edhe në komunën Balldren, ku frika e daljes së lumit Drin është e madhe pasi niveli është njëjtësuar me tokat, ku në disa pjesë ka dhe dalje të tij.

Kësaj situate nuk i ka shpëtuar as qyteti i Lezhës, ku uji ka rrethuar disa shtëpi në lagjen Frutore dhe shumë sipërfaqe tokë është nën ujë.

Nga ana tjetwr Argjinatura e Torovicës ka pësuar rrëshqitje të dherave në një pjesë, por është tërësisht nën kontroll.

Qyteti i Laçit është zgjuar nga kanali kryesorë që kalon mes përmes zonës së banuar.

Për shkak të ndërtimeve sipër tij dhe bllokimeve, ujrat kanë shpërthyer mes banesave duke përmbytur shumë shtëpi dhe tregun e qytetit.

Top Channel