
Nxënësit me origjinë nga Sanxhaku (krahinë që ndodhet nën republikën e Serbisë, por që nuk janë të etnitetit serb) të zonës së Libofshës në rrethin e Fierit, që u futën në shkollë për mësimin e gjuhës serbe pothuaj tre muaj më parë, të shtunën kanë shënuar mbylljen e semestrit.
Kjo shënon edhe mbylljen e fazës së parë të projektit të implementuar nga ambasada serbe në Shqipëri si dhe nga ministria serbe e diasporës. Mësuesi, Zoran Hajkoja, në një prononcim për gazetën “Shqip”, ka shprehur jo vetëm vështirësitë e hasura për mësimin e gjuhës për një grup të madh nxënësish, por ka thënë se për ruajtjen e saj duhet vazhdimësia e shkollës.
Hajkoja tregon se kanë qenë afro 50 nxënës të ndarë në dy grupe, kjo sipas moshës, ata që kanë ndjekur shkollën serbe. “Një grup përbëhej nga nxënësit deri në klasën e katërt, kurse grupi tjetër nga më të mëdhenjtë. Ka pasur një interesim në rritje, ndërkohë që kërkohet infrastrukturë më e mirë për të përmbushur kërkesën në rritje edhe të personave të tjerë”, – thotë mësuesi.
Ai shpjegon se abetarja serbe është shpjeguar e gjitha, ndërkohë që niveli mësimor i nxënësve është mesatar. Këtë vlerësim ai e jep me modesti, pasi vetën nxënësit shprehen se kanë mësuar të lexojnë, shkruajnë dhe flasin mjaft mirë. Mësimnxënia e gjuhës serbe ka qenë e lehtë, për vetë faktin se me gjuhën serbe shumica e fëmijëve ishin hasur gjatë komunikimit në shtëpi.
Arjola është një prej nxënëseve të kësaj shkolle. Ajo shpjegon se ka arritur të mësojë edhe shumë vjersha serbe. Sipas saj, mësohet se në programin mësimor nxënësit janë njohur edhe me historinë e vendit nga kanë origjinën si dhe me shkrimtarët dhe një pjesë të autorëve serbë. Edhe pse formimi i saj për Serbinë, sipas saj, është i ulët, dëshira për më shumë është e lartë. “Dua të mësoj më shumë për Serbinë. Më nevojitet programi i shkollave serbe, pasi kam dëshirë që edhe shkollën e mesme, dhe jo më të lartën që nuk diskutohet, ta vazhdoj atje”, – thotë Arjola.
Sashma është një tjetër nxënëse. Ajo vijon klasën e dytë të shkollës shqipe, ndërkohë që nuk ka munguar për asnjë ditë edhe në shkollën serbe. Sashma thotë se në shtëpinë e saj serbishtja flitej fare pak, ndërkohë që ishte dëshira e të atit të saj që ta mësonte këtë gjuhë dhe të mos harronte traditat. Të shtunën, dy klasat kanë bërë përsëritjen e të gjithë programit të mësuar. Të gjithë shpresojnë për vijimin e shkollës edhe gjatë vitit të vazhdim.
Eqerem Duleviçi, i cili ka hapur shtëpinë për funksionimin e shkollës serbe, shprehet i kënaqur për arritjet e fëmijëve që e frekuentojnë atë. Ai tregon se jo vetëm nga Libofsha, Rreth-Libofsha, Agimaj e Petova e frekuentojnë këtë shkollë, por edhe nxënës nga Hamili, Dermënasi, Ferma e Çlirimit, fshatra këta të tjerë ku jetojnë komunitete të vogla serbe. Duleviçi tregon se shtëpia e tij do të jetë gjithmonë në funksion të traditave dhe gjuhës serbe, por ajo që e shqetëson atë është godina e shkollës, e cila nuk është ndërtuar për mungesë të fondeve.
Vendi është vënë në dispozicion, dhe së bashku me të edhe dëshira e madhe e komunitetit serb. “Vetëm vendin kemi bërë gati. Janë hapur edhe themelet, presim të ardhura. Unë sërish shtëpinë e lë të hapur për shkollës, por mësuesit më thonë se kërkohet godinë më e madhe si dhe bazë didaktike e nevojshme”, – thotë Eqerem Duleviçi. Ai shpjegon se premtimi për ndërtimin e shkollës u bë nga ambasada serbe dhe pritet që shumë shpejt projekti të marrë rrugën e zbatimit, pasi ambasada dhe shteti serb janë të gatshëm për ndërtimin e kësaj vatre dijeje.
Gjatë kësaj kohe, komunikimi me përfaqësuesit serbë të Rreth-Libofshës ka qenë i pandërprerë, dhe po ashtu është premtuar që së bashku me çlirimin e fondeve për shkollën, të realizohet edhe vizita e Presidentit serb. Ka qenë dëshira e një komuniteti të madh serb në Fier, ajo që çoi në mundësinë e hapjes së shkollës në gjuhën serbe tre muaj më parë.
Top Channel